Policia Rrugore, aksion të pazakontë ndaj shoferëve të urbanëve

Nga Exit News
Policia Rrugore, aksion të pazakontë ndaj shoferëve të urbanëve

Policia Rrugore e ka kapur publikun në befasi të mërkurën kur ka njoftuar lëshimin e qindra gjobave ndaj shoferëve të transportit urban.

Janë rreth 207 shoferë të kapur në shkelje të ndryshme si shkelje e itinearit dhe/apo destinacionit të miratuar, mungesë e arsimit profesional, tejkalim kapacitetesh të pasagjerëve si dhe të meta teknike apo mungesë siguracioni.

Mes tyre, 14 drejtues janë gjetur duke drejtuar urbanin në gjendje të dehur.

Kjo është hera e parë që publiku dëgjon për marrje masash ndaj shofëreve të urbanëve, paçka se problematikat “e zbuluara” vetëm së fundmi nga policia janë lehtësisht të konstatueshme nga qytetarët në përditshmërinë e tyre.

Madje, gjatë pandemisë kritikat mbi shërbimin urban janë rritur ndjeshëm për shkak të mundësisë së kontraktimit të virusit gjatë udhëtimit në urbanet e ngjeshur, me mungesë ajrimi, por deri tani ato kanë rënë rregullisht në vesh të shurdhër.

Po ashtu, megjithse për kushtet e transportit urban janë përgjegjëse kompanitë e kontraktuara nga bashkia Tiranë, në njoftimin e policisë nuk flitet për masa ndaj tyre, por vetëm ndaj shoferëve.

Masat vijnë një muaj pasi kryetari i bashkisë, Erion Veliaj njoftoi mbi një projekt, i cili do të financohet nga qeveria gjermane, për të ristrukturuar transportin urban në Tiranë.

Pasi rriti çmimin e biletës së urbanit në fund të vitit 2015, Veliaj shprehu dëshirën për “të thyer monopolin” e kompanive të transportit urban duke krijuar një kompani të bashkisë për të menaxhuar transportin urban.

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>