Përplasjet mes naftëtarëve protestues dhe policisë kanë bërë që kjo e fundit të kërkojë praninë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për të shpërndarë protestën.
FNSH-ja ka përdor spraj me lëndë që shkakton djegie në sy dhe gojë për të shpërndarë naftëtarët.
Dy prej naftëtarëve kanë humbur ndjenjat pas përballjes me policinë.
Prej disa orësh, naftëtarët në rafinerinë e Ballshit po protestojnë, përpara uzinës. Ata janë përplasur me forca të shumta policie, të cilët kanë rrethuar uzinën dhe nuk lejojnë naftëtarët që të futen brenda.
Naftëtarët i kanë kërkuar policëve që të mos ushtrojnë dhunë e të mos përplasen me ta, pasi ata kërkojnë vetëm të drejtën e tyre: të marrin pagat e prapambetura.
Të premten, naftëtarët lajmëruan se i kishin lënë afat deri në 14 shtator kompanisë ‘Allun’, që menaxhon rafinerinë, për të paguar pagat e prapambetura dhe për të rinisur punën.
Por përfaqësuesit e kompanisë pasi kanë premtuar se do të paguajnë pagat, nuk i janë përgjigjur më telefonatave dhe kërkesave për takim të naftëtarëve.