Policia shqiptare ka shoqëruar mbrëmë profesorin Shinasi Rama në aeroportin e Tiranës, me arsyetimin se ai ishte deportuar nga Turqia në Shqipëri, sipas një postimi të vetë Shinasi Ramës në Facebook.
Shinasi Rama po kthehej nga SHBA-të në Shqipëri. Ai kishte udhëtuar me linjën ajrore Turkish Airlines dhe kishte qëndruar një natë në Turqi. Rama nuk kishte pasur asnjë problem me policinë turke. Përpara fluturimit drejt Tiranës me të njëjtën linjë, Rama kishte kërkuar t’i jepej një tjetër ulëse në avion dhe i kishin caktuar të ulej pranë derës së emergjencës së avionit. Gjatë incidentit që pasoi, Rama mësoi se kompania ajrore ato vende ia caktonte gjithnjë personave të deportuar, sa herë kishte të tillë. Ndërkohë personi i cili po deportohej ishte ulur në vendin e Shinasi Ramës.
Kur avioni ka mbërritur në Tiranë, policia ka thirrur emrin e Shinasi Ramës dhe i ka kërkuar atij të shkonte me ta në komisariat, duke i treguar edhe se emri i tij gjendej në listën e pasagjerëve si person i deportuar.
Përfaqësues të linjës ajrore Turkish Airlines u shprehën se ky ishte thjesht një gabim dhe se Shinasi Rama nuk ishte personi i deportuar.
Por në postimin e tij, Rama shprehet se ky ka qenë një vendim i qëllimshëm për ta frikësuar atë për shkak të qëndrimeve kundër qeverisë dhe gjendjes aktuale politike në vend, ndaj ai ndihet i frikësuar për sigurinë e jetës së tij.
Shinasi Rama ka shprehur vazhdimisht qëndrimet e tij kundër establishmentit politik në vend, duke kritikuar si partitë e majta dhe ato të djathta përmes studimeve të tij, intervistave dhe opinioneve të shkruara.