Politika duhet të jetë më e vëmendshme ndaj problemeve rinore

Nga Xhuljo Ferzaj
Politika duhet të jetë më e vëmendshme ndaj problemeve rinore

Shpesh dëgjojmë nga politikanë se rinia është e ardhmja e vendit. Sa e vërtetë është kjo? Roli i saj si në politikë ashtu edhe në vendimmarrje nuk po forcohet. Mungesa e alternativave të denja në vend shtyn të rinjtë të zgjedhin thjesht atë nga e cila favorizohen disi më shumë. Premtimet imediate të rinisë siç janë punësimi, arsimimi i përshtatshëm, perspektiva etj., nisin të renditen në listën e premtimeve vetëm para fushatave zgjedhore. Mbi të gjitha, frika që vazhdon të jetë bashkudhëtare e shoqërisë shqiptare është një tjetër faktor që ndikon dukshëm në angazhimin e të rinjve.

Indiferentizmi i të rinjve ndaj çështjeve shoqërore dhe politike lidhen ngushtë edhe me klimën jo favorizuese të krijuar në vend. Ndryshe nga sa ndodh në vendet e zhvilluara, gjendja e vështirë ekonomike e rinisë shqiptare dikton nevojën për të ndërmarrë vetëm veprimtari përfituese në aspektin financiar. Nëse kontributi vullnetar apo në një klub rinor nuk sjell të ardhura ose përfitime personale për një periudhë afatgjatë, atëherë pjesëmarrja e të rinjve detyrimisht zvogëlohet dhe kanalizohet në aktivitete me fokus argëtimin ose me një farë perspektive përfituese. Demokracia ka nevojë për demokratë të mirëfilltë, e jo përfitues në dëm të rinisë duke i grumbulluar në forume rinore e më pas për t’i braktisur.

Pjesa më e madhe e të rinjve në Shqipëri dëshirojnë të largohen, kjo vërtetohet nga numri i aplikimeve për azil, lotaria amerikane, viza në vende të ndryshme ku mund të realizojnë projektet e tyre. Kjo tendencë e rinisë shqiptare mund të lidhet jo vetëm me politikën, por edhe me standardin e jetesës, mundësitë për të realizimin e vetvetes, me vizionin dhe aspiratat e saja. Ka dhe të rinj që zgjedhin të angazhohen në politikë pavarësisht mungesës së përfitimit, me shpresën se një ditë do të përfitojnë angazhim në strukturat ku ata bëjnë pjesë. Pavarësisht formave të ndryshme të kontributit politik dhe synimeve që gjithsecili dëshiron të arrijë nëpërmjet politikës, përfshirja e brezit të ri në të, përpos frymës së re, përçon edhe domosdoshmërinë për përmirësimin e politikave të lidhura me të.

LEXO  Taksë e re për makinat e luksit

Angazhimi i rinisë, qoftë edhe vetëm si dekor nëpërmjet takimeve elektorale, në mënyrë indirekte i imponon politikanët të kthejnë sytë tek ajo dhe të përmbushi detyrimisht pikat minimale në këmbim të votës së saj. Nga ana tjetër, përkrahja e një force politike dhe bashkëveprimi me të rrit disi formimin politik të të rinjve, por kjo është e pamjaftueshme, shpesh ka krijuar distancime totale nga politika. Ndodh që brenda kahut politik të ketë një ambient jo-miqësor, kjo i shkurajon deri në largimin e tyre, madje disa zgjedhin të mos angazhohen si rezultat i këtyre faktorëve të lartpërmendur.

Lufta për pushtet që prodhon vetvetiu edhe atë brenda llojit ndikon negativisht në perceptimin e të rinjve për ta kuptuar politikën si mjet në dobi të interesit publik. Shkelja flagrante e vlerave dhe parimeve për hir të përfitimeve personale, kalimi tashmë i zakontë nga një forcë politike në tjetrën, ngjizja jo-organike e koalicioneve pushtet-prurëse si dhe mos reflektimi i pjekurisë politike shuan besimin e pastër të të rinjve te politika. Po kështu , edhe vetë ligjërimi apo diskursioni politik i ashpër, në vend të frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit kultivon atë të përçarjes dhe urrejtjes. Të ndarë në kampe kundërshtarësh politikë edhe të rinjtë e angazhuar në politikë nuk mund të ndërveprojnë me njëri-tjetrin për t’i dhënë zgjidhje problemeve rinore. Kjo ndodh edhe për shkak të kulturës së dobët politike. Kështu, në lojërat stimuluese të rinjtë që caktohen të mbrojnë të majtën, ndodh që artikulojnë idetë dhe parimet e së djathtës dhe anasjelltas.

 

Lajme te ngjashme