Politikanët e lartë evropian përshendesin Ditën Botërore të Lirisë së Medias

Nga Exit News
Politikanët e lartë evropian përshendesin Ditën Botërore të Lirisë së Medias

Sot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993. Që atëherë, 3 maji është festuar në mbarë botën si një ditë për të promovuar parimet themelore të lirisë së shtypit, për të mbrojtur mediat nga sulmet kundër pavarësisë së tyre , dhe për të përkujtuar gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres në një video mesazh u shpreh se:

“Informacioni është e mirë publike. Informacioni i besueshëm ndihmon në ndërtimin e shoqërive demokratike. Në shumë vende gazetarët u përballën me vdekje, ngacmime, kërcënime. Kombet e Bashkuara po punojnë për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi të sigurtë për gazetarët”.

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli:

“Të kërcënosh një gazetar do të thotë të kërcënosh lirinë e gjithsecilit. Pa media të pavarur nuk ka demokraci të vërtetë. Parlamenti Evropian qëndron pranë të gjithë gazetarëve që përballen me frikësim gjatë kryerjes së punës së tyre”.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel u shpreh se:

“Liria e medias është një vlerë thelbësore evropiane dhe është thelbësore për demokracinë. Ne duhet ta mbrojmë një liri të tillë çdo ditë dhe të sigurojmë që gazetarët të bëjnë punën e tyre, të sigurtë”.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrello u shpreh se:

“Liria e shtypit është një gur themeli i shoqërive demokratike, e cila mund të lulëzojë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara. Liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë”.

I njëjti mesazh u nda edhe nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, në Twitter.

Organizata e Kombeve të Bashkuara në Tiranë shkroi në Twitter se:

“Në një botë të goditur nga Covid, ne theksojmë rëndësinë jetësore të burimit të besueshëm dhe shkencor të informacionit që mund të ndihmojë në shpëtimin e jetës. Media luan një rol vendimtar. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve të krijojnë një mjedis të sigurt raportimi për gazetarë, të mbrojnë të drejtat e tyre dhe misionin e tyre për të gjetur të vërtetën”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>