Politikanët shqiptarë uruan të dielën të gjithë besimtarët katolikë për Pashkët.
Presidenti Ilir Meta uroi në Facebook duke shkruar “me besimin në Zot dhe në solidaritet me njëri-tjetrin kemi gjetur forcën dhe kurajën për të kapërcyer sprova të panumërta në këto kohë të vështira”.
“Jemi përpjekur të jemi më bashkëpunues për të ndërtuar një të nesërme më të mirë, më të paqtë e të begatë për njerëzit në nevojë dhe për të ardhmen e sigurt të popullit dhe të Shqipërisë tonë”, tha Meta duke uruar Pashkët.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha uroi besimtarët duke u shprehur se “sot, kur si asnjëherë më parë jemi në udhëkryq, të gjithë së bashku le të gjejmë forcën për të kapërcyer çdo vështirësi me zemrat e mbushura me besim”.
Kryeministri Edi Rama postoi një foto duke shkruar “Gëzuar Pashkët nga Fieri”.
Ai ishte të dielën në Fier ku inspektoi punimet në Spitalin e Fierit.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i uroi besimtarët duke shkruar “Ky kremtim, le të ringjallë në secilin prej nesh tolerancën, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin”.