Kryeministri Rama e bazoi fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prill në dy premtime kryesore, rindërtimin dhe vaksinimin, të cilat lidhen me dy fatkeqësi që goditën vendin tonë, konkretisht tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë.
Por, ajo që vihet re është fakti se kreu i qeverisë ka rikthyer disa nga premtimet e tij të vitit 2015 dhe vitit 2017, të cilat nuk u realizuan gjatë dy mandateve, ndërkohë që përgatitet për një mandat të tretë.
Eljona Ballhysa për Porta Vendore ka analizuar një sërë prej premtimeve të Kryetarit të Partisë Socialiste në tre fushata elektorale që nga viti 2015, për të krijuar një pasqyrë sa më të qartë të qeverisjes së tetë viteve, por dhe cilat janë objektivat e kësaj partie për një mandat të tretë
Premtimet për 2021-2025
Megjithëse nuk ka ende të publikuar një program qeverisës, Rama i referohet një plani veprimi 2021-2025 si dhe vizionit për Shqipërinë 2030. Ndërkohë në faqen zyrtare PS.al është i publikuar vetëm manifest 2017-2021. Rama i nisi premtimet për zgjedhjet e ardhshme që në muajin shkurt, ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale, në një seri bashkëbisedimesh online me qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit, që më pas i shtoi në takimet e tij në terren.
Porta Vendore ka identifikuar disa nga premtimet e prekshme të kryeministrit Rama në disa prej qyteteve kryesore të vendit, pra çfarë synon qeveria të ndërtojë dhe zhvillojë përgjatë 4 viteve në vijim teksa kërkonte për një mandat të tretë. E në fakt ky ka qenë slogani që ka ndjek fushatën e 25 prillit nga maxhoranca aktuale, teksa është thënë shpesh se: “Mandati i tretë është për çuarjen në fund të çdo pune”.
“Ne do t’i hapim portat Shqipërisë, në qiell dhe në det”, ky është një tjetër premtim i Ramës që spikat përgjatë takimeve elektorale dhe që bën fjalë për ndërtimin e 3 aeroporteve të reja si Kukësi, Vlora e Saranda si dhe ndërtimi i 4 porteve të mëdha, siç është ai i Durrësit, i Vlorës, i Sarandës dhe Shëngjinit. Që të gjitha këto investime madhore, sipas kryeministrit do të hapin vende të reja pune dhe do të sjellin zhvillim ekonomik.
Kthimi i Shqipërisë në kampione të Ballkanit për turizmin dhe agroturizmin është një tjetër premtim madhor i Ramës, ndërkohë që premton mbajtjen e taksës zero për biznesin e vogël dhe TVSH zero për bizneset deri në 10 milionë lekë, në mënyrë që të nxisë lulëzimin e bizneseve të vogla.
Për zhvillimin e agroturizmit, Rama premton 5 mijë euro grante çdo emigranti që kthehet në Shqipëri dhe vendos të investojë në rindërtimin dhe në kthimin në bujtinë të shtëpive të vjetra, veçanërisht në qytetet historike.
Në planin e veprimit 2021-2025, Kryeministri premton që të rrisë më 1 janar të 2022 fashën e patatueshme nga paga. Pra aktualisht një pagë deri në 30 mijë lekë nuk taksohet, ndërkohë që Rama e premton që paga e pataksueshme të bëhet 40 mijë lekë. Ndërkohë që edhe paga minimale do të bëhet 40 mijë lekë. PS vijon t’i qëndrojë një prej angazhimeve bazë që është aplikimi i taksës progresive.
Sa i takon bujqësisë Rama premton rritjen deri në 1 miliard lekë të eksporteve bujqësore.
Nderkohë premton që do ta kthejë Shqipërinë në një vend që do të eksportojë energjinë eklektike.
Premtimet sipas qyteteve
Krahas premtimeve që prekin mbarë Shqipërinë dhe kryesisht janë përmendur në programin e prezantuar nga vetë kryeministri Rama, ai ka bërë disa premtime të përgjithshme, por edhe lokale, kur ka vizituar qytetet e ndryshme të vendit. Porta Vendore ka identifikuar premtimet kryesore të bëra në 12 bashki të vendit nga kryeministri Rama. Porta monitoroi 3-5 premtimet me rëndësinë më të madhe për këto bashki, të bëra në faqen zyrtare të Facebook nga Kryeministri Rama, por dhe në takimet e tij e tij me komunitetin në këto 12 bashki.
Elbasan
Në qytetin e Elbasanit, kryeministri zbuloi një projekt që synon ta zhvillojë në të ardhmen në të gjithë vendin e që është krijimi i kolegjeve profesionale. Lidhur me këtë, Rama tha nga Elbasani se qeveria është në diskutim për të shtuar një hallkë të munguar në sistemin e arsimit dhe se krijimi i këtyre kolegjeve do të jetë si një hapësirë e ndërmjetme mes shkollës së mesme dhe fakultetit. Ndërsa për Elbasanin, ai tha se është hedhur një bazë shumë e fortë për ta shndërruar këtë qytet në një destinacion turistik, që fuqizon bizneset e vogla.
Fier
Ndërsa gjatë vizitës në Fier, aty ku vetëm për 3 muaj është ndërtuar dhe ka marrë formën pothuajse përfundimtare spitali i ri Rajonal, i ndërtuar falë ndihmës bujare të qeverisë turke, kryeministri premton se në katër vitet e ardhshme do të garantojë autonomi spitalore. “Mendoj që në mandatin e 3-të e kemi të gjithë kohën e nevojshme për të krijuar një sistem spitalor autonom dhe t’u japim mundësinë mjekëve që duke qenë në shërbim të publikut të mos kenë nevojë të kenë dhe klinika private, gjë që e ngatërron shumë punën dhe të kenë mundësinë që në strukturën shtetërore të kryejnë punë përtej orarit, dhe orë të shpërblyera përtej rrogës”, është shprehur Rama. Spitali i Fierit ka qenë një nga premtimet që fierakët i dhanë Kryeministrit Rama një mandat të dytë, pasi ishte një premtim i bërë që në fushatën e 2017-tës.
Një tjetër premtim i tij është që të sjellë në Shqipëri filalin e një universiteti të njohur turk. “Hapi i parë është ardhja e Universitetit Teknologjik të Stambollit që është një nga universitetet më me reputacion në Europë, dhe ku ne kemi patur për 6 vjet eksperiencën e bukur të studentëve shqiptarë që kanë dalë me rezultate të shkëlqyera. Një tjetër projekt për të cilin ne po punojmë me SHBA-në është Akademia Ushtarake, transformimi i saj në një akademi amerikane me profesorë, me kurrikula nga SHBA-ja, të miksuar me profesorë shqiptarë. Akademia e Sigurisë po ashtu. Kjo do t’i japi një mundësi tjetër Arsimit tonë të Lartë dhe do t’u japë një mundësi të rinjve tanë të studiojnë në universitet prestigjioz”, premtoi kryeministri.
Po ashtu, në një bashkëbisedim me qytetarët e Fierit Rama tha se “Rruga Muriqan – Milot – Tiranë, përmes Thumanë, Rrogozhinë dhe Fier është gati. Është një projekt që do të transformojë komplet infrastrukturën, duke realizuar atë që e kemi quajtur Korridori Blu”.
Vlora
Për Vlorën, aty ku kandidoi për të tretën herë si deputet, kryeministri Rama ka një shportë me premtime e projekte për t’u realizuar, ku sigurisht kryesorët janë ndërtimi i aeroportit , që do të jetë ndërkombëtar dhe i portit të madh turistik. Për portin e ri turistik Rama ka premtuar se do të “fillojë të ndërtohet së shpejti, së bashku me portin e mallrave dhe pasagjerëve, si dhe do sistemohet porti i peshkimit, që do krijojë impakt të rëndësishëm ekonomik dhe perspektivë për shumë vende të reja pune”.
Një tjetër premtim i Ramës për Vlorën është realizimi i projektit të ri të sheshit të Flamurit që do të sjellë një pamje të re të qytetit, sikurse janë edhe disa projekte të tjera në infrastrukturë si: ndërtimi i rrugës së lumit, (për të cilën Rama thotë se është në zbatim. Madje për të dëshmuar që është një premtim i mbajtur që nga 2017, kryeministri publikoi edhe një video nga ky investim në rrjetin e tij social Facebook); ndërtimi i rrugës Peshkëpi-Selenicë; Orikum-Llogara si dhe tuneli i Llogarasë.
Por dy investimet e fundit në infrastrukturë janë premtuar nga viti 2018 e deri më tani, 3 herë, ku pas fitoreve të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, thuajse një vit më pas, Kryeministri Rama prezantoi nga Vlora në kuadër të “Projektet për Shqipërinë që Duam” si një zgjatim i asaj që ishte thënë në fushatën e një vitit më parë. Por megjithëse kanë kaluar 3 vite nga ai moment ende nuk ka asnjë shenjë të fillimit të punës për këto projekte ambicioze.
Sa i takon rrugës Orikum-Dukat, sipas Ramës, deri tani kanë përfunduar 13% të punimeve, ndërsa për BY-passin e Vlorës është premtuar se do të jetë gati para sezonit veror.
Tiranë
Sa i takon kryeqytetit, Rama premtoi ritme të shpejta të procesit të rindërtimit. Sipas tij, deri në qershor do të jenë sistemuar në shtëpitë individuale shumica e familjeve, ndërsa sa i përket apartamenteve, ai beson se deri në fund të vitit të ardhshëm do të jetë mbyllur i gjithë procesi i rindërtimit të tyre. Në Tiranë po ndërtohet një lagje e re në zonën e 5 majit që parashikon të strehojë 11 mijë banorë, ku do ndërtohen shkolla, kopshte, ccerdhe e parqe por dhe shkolla e franceze e inovacionit “Ecole42”.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është ndërtimi i KombinArt që parashikon ndërtimin e apartamenteve për rreth 21 mijë banorëve. Është premtuar se do të ketë edhe 4 institucione të reja arsimore; 9 pika sociale e kulturore, si dhe 5 sheshe publike me shërbime të reja: Sheshi i Teknologjisë, Sheshi i Muzeut, Sheshi Universitar, Sheshi Garibaldi dhe Sheshi i Gastronomisë. Ndërkohë ka nisur puna për ndërtimin e Kampusit të Universitetit Bujqësor për 2200 studentë.
Por përsa i përket procesit të rindërtimit ka pasur një sërë afatesh të cilat për shkaqe financiare dhe probleme të tjera pronësie janë shtyrë në kohë, duke e bërë këtë proces të ngadaltë dhe zvarritës ku Porta Vendore ka raportuar gjithashtu për një sërë zonash e njësish administrative ndërsa procesi ka rezultuar i vakët.
Këtë vit nisi puna edhe për transformimin e Piramidës në një qendër teknologjie e kulture. Ajo do te funksionoje për trajnime, do të ketë bibliotekë, salla ku njerëzit mund te mblidhen, salla ku mund të ekspozojnë punimet e tyre, dhe qendër TUMO, një lloj i ri i përvojës arsimore ne kryqëzimin e teknologjisë dhe dizajnit. Një projekt që do të kushtojë 1.2 miliard lekë dhe që pritet të përfundojë pas 2 vitesh.
Korçë
Për qytetin e Korçës kryeministri ka premtuar se do të ndërtojë resortin e parë të skive në Shqipëri për të shtuar numrin e turistëve.
Teksa vizitoi bibliotekën e Korçës ku po zbatohet një projekt pilot në fushën e teknologjisë së informacionit për kodimin, Rama premtoi se qendra të tilla do të ngrihen në disa bashki qendra qarku, për tu shtrirë në krejt bashkitë e vendit, brenda kësaj dekade. “Do të kemi një program të veçantë për kodimin, për IT, për robotikën, për të gjitha ato që do t’u japin mundësinë të rinjve që të kenë një instrument”, është shprehur Rama.
Pogradec
Njëjtë si Lungomare në Vlorë, kryeministri Rama premton ndërtimin e Lungogjolit në Pogradec, për të cilin thotë se do të nisin shumë shpejt punimet falë sigurimit të financimit të projektit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. “Besoj që me fillimin e punës për Lungolagon të zonës së liqenit dhe të pjesës më panoramike të liqenit, do të jetë një transformim që do të verë kapak gjithë këtij procesi që mund të kishte qenë më i shpejtë, nëse do të kishim patur më shpejt kryetarin e bashkisë që kemi sot besoj”, është shprehur Rama.
Berat
Në Berat prioritet është zhvillimi i turizmit. Kryeministri Rama bëri të ditur gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarë të Beratit se ka firmosur një marrëveshje në Turqi, për një projekt që synon restaurimin dhe vënien në kushte optimale të godinave që janë monumente kulture, veçanërisht në Berat e Gjirokastër. Ndërsa sa i takon kthimit të këtyre godinave në biznese, Rama premtoi miratimin së shpejti nga parlamenti të ligjit të ri për Start up-et, i cili do të jetë një mbështetje e rëndësishme për ata të rinj që hapin biznese të reja.
Ashtu sikundër edhe në qytete të tjera Kryeministri ka premtuar 24 orë ujë në Berat në fund të vitit 2022. “Ajo që mund të them është që qoftë Berati, qoftë të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë, deri në fund të vitit 2022 do të kenë ujë të pijshëm 24 orë”, është shprehur Rama.
Por edhe cështja e furnizimit me ujë të pijshëm 24/24 është një premtim që ripërsëritet nga maxhoranca, pasi i njëjti ka qenë edhe lajtmotiv i fushatës elektorale në zgjedhjet e shkuara qendrore. Ndërsa duket se pavarësisht investimeve në këtë qytet ende nuk ka ujë të pijshëm 24 orë.
Në të njëjtin bashkëbisedim Rama ka folur për një investim madhor nga kompania SHELL që do të punësojë 500 persona dhe do të realizojë një investim madhor në sektorin e naftës e të gazit.
Në fakt qeveria shqiptare ka firmosur në 2018 me kompaninë SHELL për të kërkuar naftë në Bllokun 4 në Shpirag të Beratit. Në kuadër të Marrëveshjes në atë kohë, kompania merrte përsipër të realizonte investime sociale për përmirësimin e jetës së komunitetit të kësaj zone, për arsimin profesional, të sigurisë rrugore, shërbimit shëndetësor dhe për zhvillimin e bizneseve të vogla lokale.
Kukës
Investimi më i madh i qeverisë në Kukës është padyshim ndërtimi i aeroportit, që shihet si një derë që do të hapet për zhvillimin turistik dhe ekonomik të të gjithë zonës.
Ndërkohë një vit më parë nisën punimet për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Kukësit për të cilin u premtua se do të jetë gati brenda një viti.
Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, ka nisur ndërtimi i një stadiumi të ri i standardeve europiane i cili pritet të jetë gati në fund të sezonit veror dhe është premtuar se do të jetë një stadium i parametrave të UEFA-s ku do zhvillohen ndeshje ndërkombëtare.
Lezhë
Për qarkun e Lezhës një nga investimet më të mëdha që premtojnë socialistët është ndërtimi i portit turistik të Shëngjinit, për të cilin Rama ka thënë se ende nuk ka një projekt, por ka kërkesa nga kompani të ndryshme dhe që synon të rrisë ndjeshëm turizmin në zonë.
Nga ana tjetër, premtohet ndërtimi i aksit Balldren-Milot-Fier, duke kaluar përmes Thumanës dhe Rrogozhinës dhe aksi Milot-Muriqan.
Dibër
“Dibra do të jetë një destinacion turistik për qindra mijëra e miliona turistë”, është shprehur kryeministri, i cili ishte i pari që kaloi nga rruga e Arbrit, që është drejt përfundimit. (Kujtojmë këtu që rruga e Arbrit ka qenë një premtim i vitit 2013, i cili vijoi edhe përgjatë vitit 2017 nga socialistët, e ku në kufi të mbylljes së mandatit është në rrugë të mbarë drejt përfundimit.) Ndërtimi i kësaj rruge ka thënë Rama është kthimi në realitet i një ëndrre 100 vjeçare të banorëve të kësaj zone. Rruga e Arbrit do të jetë pa pagesë ka premtuar kryeministri.
Një tjetër premtim madhor që Kryeministri e bëri nga Dibra është ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës, e cila së bashku me TEC-in e Vlorës do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi eksportuese të energjisë.
“Sakvica, nga njëra anë, e transformimi i TEC-it të Vlorës në një port të gazit të lëngshëm, të dyja këto nuk janë ide. Të dyja këto janë marrëveshje me qeverinë e SHBA-ve, ndërkohë që marrëveshjet janë nënshkruar me dy nga kompanitë më të mëdha amerikane që po punojnë për këto dy projekte. Plus, dy parqet fotovoltaike. Njëri ka filluar të ndërtohet, parku më i madh me energji diellore në zonën e Ballkanit, në Karavasta, tjetri fillon së shpejti. Na bëjnë ne sovran në energji e na bëjnë që asnjë lekë nga këtu të mos iki më jashtë për të blerë energji, por vetëm të shesim energji kur të tjerët e kërkojnë dhe të fusim lekë këtu”, është shprehur kryeministri.
Premtimet e parealizuara
Por, numri i premtimeve që nuk u realizuan në 8 vite nga qeverisja e Partisë Socialiste, (2013-2017 në bashkëpunim me LSI, dhe 2017-2021 vetëm) mbetet i konsiderueshëm :
Disa nga premtimet e pambajtura të vitit 2013
Një nga premtimet më madhore të vitit 2013 ishte krijimi i 300 mijë vendeve pune. Sipas INSTAT gjatë viteve 2013-2017 u krijuan vetëm 183 mijë vende pune, ndërkohë që në 2017, objektivi i qeverisë ishte për 220 mijë vende pune deri në vitin 2021, por u realizuan vetëm 100 mijë.