Presidenca i ka bërë thirrje qeverisë të reflektojë dhe të përmbushë detyrimet për projektin e rrugës Vlorë-Orikum që presidenti të japë autorizimin, pasi marrëveshja për financimin e saj është e re dhe duhet t’i nënshtrohet rregullave ligjore.
Drejtori i Kabinetit të Presidencës, Edmond Panariti iu përgjigj në një konferencë për shtyp ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila tha më herët se huaja për financimin e rrugës ishte negociuar në një marrëveshje të mëparshme dhe nuk kishte më nevojë të realizoheshin negociata të tjera.
Sipas Panaritit, marrëveshja e parë e huasë me Fondit Saudit të Zhvillimit është zgjidhur me kërkesë të qeverisë me ligj të posaçëm. Kështu që kalimi i fondeve për projektin e rrugës Vlorë-Orikum sipas tij duhet t’i nënshtrohet rregullave ligjore, përfshirë kërkesën për autorizimin e plotfuqisë nga presidenti.
“Ministrja e di që marrëveshja e zgjidhur me ligj nuk ka fuqi juridike. Ligji kërkon në mënyrë eksplicite, që të negocioni, sigloni dhe miratoni. Vetëm më pas mund të nënshkruhet marrëveshja e re. Ministrja pretendon se kjo nuk përbën detyrim. Pyetja është, në cilin nen të Kushtetutës ligji për marrëveshje ndërkombëtare dhe huamarrje e mbështesni këtë qëndrim.”
Drejtori i Kabinetit të Presidencës theksoi gjithashtu se ministrja e Financave ishte vënë në dijeni nga presidenti 3 muaj më parë për shkeljet procedurale të këtij rasti por nuk kishte reaguar.
“Ministrja kishte 3 muaj kohë të reflektonte, por zgjodhi të vijojë me shkeljet. Asnjëherë nuk është vonë. I bëjmë thirrje minsitres të përmbushë detyrimet, dhe mos krijojë më asnjë vonesë për investimet në Vlorë. Të paraqesë dokumentin tek Presidenti, dhe nëse dokumentacioni është i rregullt brenda ditës do shqyrtojë kërkesën.”