Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, thotë se trazirat që kanë përfshirë vendin pas burgosjes së ish-presidentit Zuma janë të planifikuara dhe të organizuara për të rrëzuar demokracinë e vendit.
Ramaphosa ka thënë para mbështetësve të tij se organizatorët janë identifikuar, mirëpo nuk ka dhënë më shumë detaje.
Disa qytete në Afrikën e Jugut janë përfshirë në një valë dhune pas burgosjes së ish-presidentit Jacob Zuma.
Mbi 200 persona kanë humbur jetën në gjithë vendin ndërsa në KwaZulu-Natal, epiqendra e dhunës, janë plaçkitur rreth 800 dyqane, ka thënë kryetari i kësaj province.
Policia ka nisur të mbrojë furnizimet e ushqimeve pasi plaçkitjet kanë sjellë mungesa për shumë njerëz që janë detyruar të mbajnë radhë të gjata për t’i siguruar.