Presidenti Meta dekreton anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese

Presidenti Meta dekreton anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese

Presidenti Meta dekretoi sot anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese, prokurorin e krimeve të rënda Besnik Muçi.

Presidenti ka argumentuar se përtej eksperiencës së zotit Muçi dy janë arsyet për të cilën ai e ka përzgjedhur.

Së pari fakti që ai është i vetmi kandidat që vjen nga rradhët e gjyqësorit. Sipas zotit Meta Këshilli i Emërimeve në drejtësi kishte për detyrim ligjor të hartonte dy lista, një prej të cilave është me kanidatët që vijnë nga gjyqësori. Neni 7/b, pika 3 e ligjit ”Për Gjykatën Kushtetuese” , përcakton:

“3. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e Gjyqësorit.”

KED nuk ka arritur të përmbushë këtë detyrim, pasi ai hartoi vetëm një listë me katër kandidatë. Duke qënë në këto kushte zoti Meta përzgjodhi zotin Muçi për të qënë anëtar në GJK.

Së dyti zoti Meta argumenton se ligji “Për Gjykatën Kushtetuese” përcakton se duhet të ketë balancë gjinore midis anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht neni 7/b pika 3 shprehet:

“Organet e emërtesës marrin parasysh përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në momentin e emërimit të kandidatit për të garantuar balancën ndërmjet përvojave profesionale të anëtarëve dhe respektimin e barazisë gjinore”.

Duke qënë se në listën me katër kandidatë, zoti Muçi ishte i vetmi kandidat mashkull, ky fakt përbën një argument shtesë për dekretimin e tij.

Prokurori Muçi u përzgjodh nga lista me katër kandidatë të përbërë nga ; Arta Vorpsi, Fiona Papajorgji, Besnik Muçi dhe Regleta Panajoti.

Zoti Muçi është në pritje të një vendimi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.Ai kaloi procesin e vetingut në shkallë të parë me sukses, por Komisioneri Publik vendosi të ankimojë vendimin, duke kërkuar shkarkimin e tij. Së fundmi DSIK paraqiti pranë KPA një dokument shtesë për zotin Muçi.

Seanca dëgjimore e rradhës për të në KPA do të jetë sot.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>