Presidenti Ilir Meta ka kritikuar indirekt qëndrimin e opozitës për të mos hyrë në zgjedhje pa u krijuar garancitë dhe standardet më të mira që para zhvillimit të tyre.
Duke folur në një konferencë me gazetarë sot paradite, Presidenti u shpreh:
“Zgjedhje daneze në Shqipëri nuk mund të presim, sepse askush në këtë vend nuk ka rënë nga qielli dhe as nga Danimarka, ku kanë lindur dhe kriteret e Kopenhagenit.”
Presidenti Meta deklaroi sot se dekreti për zhvillimin e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse më 13 tetor është ende në fuqi. Meta u shpreh se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është e vetmja mundësi që në tetor Bashkimi Europian të hapë negociatat me Shqipërinë:
“Pa zgjedhje vendore, gjithëpërfshirëse, në 13 tetor, mos prisni asnjë mbrekulli më 18 tetor dhe të gdhiheni me çelje negociatash. Ndaj kam apeluar për dialog politik, real, mes dy palëve për këtë çështje madhore.
Me këtë situatë krize të thellë që ka vendi dhe aq më tepër me prapësinë dhe mungesën e vullnetit për zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, kam thënë që nuk ka çelje të negociatave të Shqipërisë me BE.”
Meta tha se zgjedhjet e 13 tetorit do të zhvillohen, dhe në to mund të regjistrohet cilado parti që dëshiron ta bëjë këtë:
Shpresoj që KQZ-ja ta zhbllokojë [procesin për organizimin e zgjedhjeve] dhe t’i jepet mundësia çdo partie të regjistrohet.
Kush ka dëshirë të regjistrohet, kush nuk ka dëshirë të mos regjistrohet.
Kush ka dëshirë të dalë në fushën e lojës, kush të dojë të bashkohet me spektatorët…”
Ndërsa për vendimin e opozitës për dorëzimin e mandateve, Meta deklaroi:
“Opozita duhet ta ketë të qartë që nuk mund të rrijë anash problemeve të mëdha dhe sfidave të mëdha që ka vendi. Nuk mjafton vetëm me denoncime, por duhet të marrë përgjegjësi.”
Gjithashtu, Presidenti Meta tha se parlamenti aktual nuk përfaqëson popullin dhe nuk është funksional. Në fund, ai shprehu gatishmërinë për të lënë mandatin dhe për të zhvilluar zgjedhje presidenciale, bashkë me ato parlamentare, më 13 tetor:
“Jam i gatshëm më 13 tetor që dhe presidenti të votohet nga populli.”