Paqja e sigurtë, afatgjatë dhe e qëndrueshme garantohet vetëm kur liritë, të drejtat, aspiratat dhe nevojat e qytetarëve, mbrohen përmes sundimit të shtetit të së drejtës.
Kështu u shpreh Presidenti Ilir Meta me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes. Presidenti, ndër të tjera theksoi se:
Nuk mund të ketë paqe nëse nuk respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, nëse egoja, ambicja, interesi i ngushtë personal, si dhe grykësia për pushtet e pasuri, prevalon mbi interesin e përbashkët.
Në rajonin tonë, kujtimet e hidhura, dhimbjet, vuajtjet dhe pasojat e rënda që lanë pas luftrat, masakrat, genocidet dhe regjimet diktatoriale janë ende të freskëta. E kaluara kur harrohet, rrezikon të përsëritet!
Duhet të jemi shumë vigjilentë ndaj çdo tentative që do të mund të cenonte sovranitetin, paqen, qetësinë, mirëkuptimin, respektin reciprok dhe bashkëjetesën mes njerëzve, popujve, kombeve, etnive dhe besimeve, duke synuar mbjelljen e farës së paragjykimeve, ndenjës së urrejtjes dhe autoritarizmit, veçanërisht nga keqpërdorimi i shtetit për përfitime personale dhe të pushtetit.