Presidenti Meta: Vendimi im kushtetues, partitë politike të zgjidhin krizën

Presidenti Meta: Vendimi im kushtetues, partitë politike të zgjidhin krizën

Presidenti deklaroi sot se ai ishte i detyruar të shfuqizonte dekretin për datën e zgjedhjeve, si e vetmja mënyrë për të shmangur nisjen e një konflikti civil.

Në një konferencë për shtyp, Zoti Meta deklaroi se ka marrë këtë vendim pasi në të kundërt më 30 qershor mund të provokohej një situatë shqetësuese për jetën e qytetarëve:

“Me përgjegjësi të lartë shtetërore bëra publik vendimin për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve më 8 qershor. Ky vendim është marrë pasi mund të provokohej një konflikt destabilizues me pasoja për jetët e njerëzve. 

Vendimmarrja për shtyrjen e zgjedhjeve u bë e domosdoshme për shkak të sjelljes histerike të dy palëve. Të dy palët e kishin shpallur datën e votimeve si ditën kur do të përballeshin në një betejë për jetë a vdekje.

Vendimi është marrë me përgjegjësi dhe në vlerësim të rrethanave fakteve se më 8 qershor mund të provokohej një situatë shqetësuese për jetën e qytetarëve. Mora vendimin e duhur për të shmangur konfliktin civil.

Presidenti garanton popullin se është në detyrë dhe i gatshëm për të marrë vendime të rëndësishmë në respekt të Kushtetutës për t’i shërbyer të gjithëve.

Për akuzat e Kryeministrit Rama dhe Partisë Socialiste se me këtë vendim, presidenti ka shkelur Kushtetutën, Meta u shpreh:

“E di fort mirë që në Tiranë qarkullojnë disa materiale të Kushtetutës të përkthyera edhe gabim për të keqinformuar të gjithë ata që e kanë lexuar keq ligjin themeltar. Kushtetuta e Republikës, që nga neni 1 deri në fund nuk përcakton afatin me ditë apo me muaj se kur zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor. Kushtetuta nuk thotë se zgjedhjet zhvillohen në datën 1 apo 30 të këtij po atij muaji.

Këto detaje formale i ka kodi zgjedhor, të cilin siç e dini dhe ju, edhe partitë politike vetë e dinë shumë mirë si janë sjellë dhe sa shumë e kanë respektuar. Në disa raste ato e dinë fare mirë ato kanë ndryshuar jo kodin, por edhe kushtetutën brenda një nate.

Në Republikën e Shqipërisë ka vetëm një institucon që shpall zgjedhjet dhe ky institucion është Presidenti i Republikës.

Si shpjegohet që presidentët më parë kanë marrë vendime për të shfuqizuar dekretet e tyre të mëparshme dhe që kanë shtyrë datat e zgjedhjeve vendore dhe atyre të përgjithshme nuk janë akuzuar për shkelje të kushtetutës?!

Paraardhësit e mi të nderuar në këtë detyrë vërtet nuk e kanë shkelur kushtetutën, por në respekt të parimeve të saj kanë bërë zgjedhjen më të mirë për vendin, referuar rrethanave që e kanë detyruar zgjidhjen e tyre.

Ndërsa, për kërcënimet e mazhorancës se Meta dhe opozita kanë frikë nga Spak dhe nga Reforma në Drejtësi, Presidenti tha se:

Nëse ka një person që e di që unë nuk kam frikë nga asgjë është Zoti Rama, Ambasada Amerikane, të paktën ish-ambasadori Lu. Reforma në drejtësi nëse u miratua me konsensus dhe nëse Shqipëria ka një rekomandim pozitiv nga BE, e ka nga ajo luftë që unë kam bërë për arritjen e atij konsensusi.

Duke folur për nismën e Partisë Socialiste për shkarkimin e tij, Meta tha:

“Iniciativa e fundit (kërkesa e PS për shkarkimin) kundër presidentit është shantazh që i bëhet kryetarit të shtetit sepse bën një përpjekje për të dhënë mundësi që kolonat mbi të cilat ndërtohet Republika e Shqipërisë dhe Kushtetuta të mos tronditen dhe të mos rrëzohen.

 Nuk e kuptoj pse duan të më shkarkojnë. Unë jam vetëoftruar për ta lënë këtë detyrë gjithmonë i gatshëm që kjo sakrificë të bëhet në emër të zgjidhjes, U intereson zgjidhja e krizës apo shkarkimi i presidentit? Nëse iu intereson presidenti, hajd të zgjidhim krizën dhe ikën presidenti.”

Zoti Meta i bëri thirrje partive të nisin sa më parë bisedimet për të zgjidhur krizën dhe për të gjetur dakordësinë për datën e re të zgjedhjeve:

“Presidenti i republikës i siguron qytetarëve se zgjedhjet për pushtetin vendor do të zhvillohen më vonë në respekt të Kushtetutës. Presidenti i bën thirrje palëve që ta lexojnë me seriozitet kushtetutën, ta shfrytëzojnë këtë hapësirë kohore për zgjidhjen e krizës dhe dakordësimin e një date të për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, në përputhje me Kushtetutën.”

Dhe në fund, Presidenti shprehu besim se neë Shqipëri ka qytetarë të përgjegjëshëm dhe të huaj të përgjegjeëshëm që do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>