Ditën e dielë, Presidenti i SHBA-ve Barack Obama nisi vizitën e tij të parë në Kubë, 88 vjet pas vizitës së fundit të një presidenti amerikan në këtë shtet. Kjo vizitë historike, fillon një kapitull të ri mes dy vendeve që i kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që prej vitit 1959.
Viti 1959 shënon ardhjen e Fidel Castros në pushtet. Ai vendosi në Kubë regjimin komunist dhe përzuri investitorët amerikanë, çka solli më pas ndërprerjen e bisedimeve mes dy vendeve.
Marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan edhe më shumë për shkak të ngjarjeve të ndryshme si: kriza e raketave kubane në vitin 1962, apo rasti i emigrantit të paligjshëm kuban Elian Gonzales në vitin 2000.
Në vitin 2006, Fidel Castro i la vendin e Presidentit vëllai të tij Raul dhe 8 vite me vonë, në 2014, u rivendosën sërish marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
Vizita tre ditore e Presidentit Obama shënon pikën kulmore të kësaj marrëdhënie të re.
Presidenti Obama do të takohet me Presidentin Raul Castro në Sheshin e Revolucionit, aty ku ish presidenti Fidel Kastro mbajti fjalimin e tij kundër imperializmit amerikan. Prania e Obamës në atë shesh dhe vendosja e kurorës në monumentin e heroit të pavarsisë kubane José Martí, thekson natyrën e kësaj vizite historike për të dy vendet.
Presidenti Obama do të takohet dhe darkojë me Presidentin Raul Castro dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Kubës, por jo me ish liderin komunist Fidel Kastro.
Në fund të vizitës, të dy presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi.