Duket se Kryeministri Rama i ka kërkuar Saimir Tahirit të japë dorëheqjen, pas presionit të Gjermanisë se nuk ka hapje të negociatave me BE-në pa arrestimin e tij.
Me anë të një konference për shtyp nga selia e PS, deputeti Tahiri, që prej muajsh akuzohet si pjesë e bandës Habilaj, dorëzoi mandatin e deputetit.
Prokuroria që nga ky moment është e lirë të arrestojë Saimir Tahirin.
Gjatë konferencës për shtyp, Saimir Tahiri akuzoi ambasadorin amerikan Lu dhe ambasadoren e BE Vlahutin që kanë ndërhyrë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
“Vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve e votuan si dele, me dy ambasadorë që të paktën për turpin tim e duartrokisnin mbi kokë. […] e unë rri e dëgjoj se kush e kap peshkun më të madh.”
Po ashtu, Tahiri akuzoi Ministrin e Brendshëm Xhafaj se po gënjen për praninë e bandave në vend.
Disa nga deklaratat kryesore të Saimir Tahirit janë:
– Unë jam Saimir Tahiri e nuk kam nevojë as për mandat e as për parlament, për të më mbrojtur nga drejtësia.
– Unë nuk jam palaço, e nuk kam nevojë as për mandat e as për të qenë deputet për tu përballur me palaçot e politikës.
– Më kanë thënë se më ka mbrojtur imuniteti, se më ka mbrojtur mandati i parlamentit, se më ka mbrojtur mazhoranca, se më ka mbrojtur Edi Rama, sado kam thënë dhe e kam përsëritur që as nuk dua dhe as më duhet të më mbrojë askush dhe asgjë. Më kanë thënë se këto të gjitha bashkë më paskan shpëtuar nga arrestimi dhe nga burgu. Jo vetëm kaq, por tani dëgjoj që unë jam bërë pengesë për integrimin e Shqipërisë.
– Unë deri në fund kur të bëhet drejtësia, nuk do të jem më deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Që sot kjo nuk është ndeshja ime e fundit, por e para dhe do të vazhdoj prapë e prapë deri kur t’ia dal.