
Princi i Mbretërisë së Bashkuar William kaloi virusin Covid-19 në muajin Prill, sipas raportimeve të medias britanike.
BBC raportoi se, sipas burimeve në Pallatin mbretëror Buckingham, Princi William doli pozitiv për koronavirusin në prill, në të njëjtën kohë kur e kaloi edhe babai i tij Princi Charles.
Ndërsa gazeta Sun shkroi se Princi William “e mbajti diagnozën e tij private për të shmangur alarmimin e vendit”.
Pallati mbretëror, zyra dhe vetë Princi William nuk kanë pranuar të komentojnë zyrtarisht lajmet.
Princi William nuk i tregoi askujt për diagnosën e tij sepse “kishte gjëra të rëndësishme që po ndodhnin dhe unë nuk doja të shqetësoja askënd”, mësohet të jetë shprehur princi, sipas Sun.
Ai u trajtua nga mjekët e pallatit dhe ndoqi udhëzimet e qeverisë duke u izoluar në shtëpinë e tij në Anmer Hall, në Norfolk, shtoi gazeta.
Princi William thuhet se kreu 14 angazhime telefonike zyrtare gjatë muajit prillit.