Veprimet e qeverisë për të prishur sot pesë banesat e qytetarëve në Shkozë shkelin Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) nisi dje aksionin për të shembur pesa banesa në zonën e Shkozës, që preken nga projekti i Unazës së Re.
Në mbështetje të IMT-së kanë shkuar dhe forca të shumta policie që kanë rrethuar zonën.
Banorët kanë kundërshtuar prishjen e shtëpive dhe kanë tentuar të ndalojnë fadromat, duke u përplasur me policinë. Ata sqaruan se katër prej pesë banesave të planifikuara për tu prishur janë të legalizuara, ndërsa një banesë është në proces legalizimi.
Cilët janë faktet
Qeveria ka vendosur të sistemojë shtratin e përroit Lana në pjesën lindore të Tiranës, afërsisht nga materniteti Koço Glozheni deri në Shkozë, dhe rindërtimin dhe zgjerimin e rrugës që kalon paralel me të.
Projekti fillestar i qeverisë parashikonte që në zonën e Shkozës, ujërat e Lanës do të futeshin në një tub nëntokësor për një distancë qindra metrash, sipër të cilit do të kalonte rruga.
Befas, qeveria ka ndryshuar projektin. Projekti i tanishëm parashikon ndryshimin e rrjedhës së Lanës në pjesën e Shkozës dhe zgjerimin e gjurmës së rrugës ekzistuese. Kjo gjë bën të domosdoshme prishjen e rreth 150 shtëpive private ku banojnë rreth 250-300 familje.
Banesat që prishen janë ndërtuar nga viti 1960 e këtej, një pjesë me leje të rregullta ndërtimi të dhëna që para vitit 1991. Një pjesë e madhe e shtëpive nuk kanë certifikatë pronësie. Një pjesë kanë aplikuar për legalizim, por procesi i legalizmit është ndërprerë.
Banorët janë njoftuar në datën 14 shtator nga inspektorë të policisë ndërtimore për të bërë lirimin e menjëhershëm të shtëpive, duke ju premtuar dëmshpërblim në të ardhmen për shpronësimin, si dhe pagesën e qirasë së banesave të përkohshme nga Bashkia Tiranë, deri sa ata të mund të gjejnë strehim të tyrin.
Banorët kanë filluar protestat e menjëhershme kundër këtij vendimi. Ndër të tjera ata i janë drejtuar Ambasadës së BE-së dhe të SHBA-ve në Tiranë.
Shkeljet ligjore
Shpronësimi i banorëve shkel një sërë të drejtash të banorëve dhe ligjesh.
- a) Së pari, janë shkelur të drejtat kushtetuese të qytetarëve. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese e sanksionuar në Nenin 42 i cili shprehet:
E drejta e pronës private është e garantuar.
dhe
Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
Kushtetuta lejon shpronësim vetëm pasi pronarëve t’u jetë paguar dëmshpërblim i drejtë. Në rastin konkret banorëve u është premtuar në parim shpërblim. Këshilli i Ministrave miratoi një vendim nr.557 në vitin 2017 në të cilin nuk përcakton afatet dhe procedurat për dëmshpërblimin në shkelje të ligjit “Për shpronësimet” që përcakton:
“Vendimi i shpronësimit duhet të përmbajë:
… c) masën e shpërblimit për pronarët që shpronësohen, për pronarët e pasurive që zhvlerësohen, për personat e tretë që kompensohen për të drejtat e tyre për shkak të pronësimit, si dhe afatin dhe mënyrën e pagimit të tyre;”
Po ashtu e drejta e strehimit është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 i së cilës shprehet:
Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij.
dhe
Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
Në një sërë vendimesh të Gjykatës së Strasburgut është bërë e qartë se e drejta e strehimit përfshin edhe rastin e godinave të ndërtuara më mënyrë të paligjshme ose që ju mungon dokumenti i pronësisë.
Vetëm gjatë vitit 2016 ka patur dy raste që kanë konfirmuar këtë qëndrim të konsoliduar të Gjykatës së Strasburgut: Ivanova dhe Cherkezov kudnër Bulgarisë dhe Bagdonavicius dhe të tjerët kundër Rusisë.
Gjykata e Strasburgut u shpreh:
“Aplikanti nuk kishte në dispozicion një procedurë proporcionale për prishjen e shtëpive të tyre të palegalizuara nga autoritetet shtetërore.
Gjykata, për këtë arsye, thekson se do të përbënte shkelje të nenit 8 të KEDNJ nëse nuk do të respektohej parimi i proporcianalitetit në këtë rast”
Në raportin përpara Kuvendit Avokati i Popullit konstatoi shkelje të të drejtave të njeriut dhe u bën thirrje institucioneve të reflektojnë.
“Nga konstatimet e ecurisë së procesit për zbatimin e projektit “Unaza e Jashtme e Tiranës”, Loti III vërehen shkelje ligjore që cënojnë të drejta dhe liri të ligjshme të 43 individit; vazhdon gjendja e mosreflektimit ndaj kësaj paligjshmërie, duke përkeqësuar situatën juridike të subjekteve që kanë pronësi në zonën ku po zbatohet projekti i sipërcituar.
Është e nevojshme marrja e masave ligjore nga ana e organeve kompetente, ndaj personave që kanë shkelur dhe shkelin ligjin në trajtimin e kësaj problematike dhe që nuk bëjnë efektiv zbatimin e ligjit për procedurat e shpronësimit, për mundësimin e realizimit të projektit, ndërtimi i segmentit rrugor “Unaza Lindore Tiranë”
Aksioni i qeverisë ka shkelur një sërë ligjesh të tjera përfshi ligjet e informimit të publikut dhe të transparencës.Vetë projekti i punimeve, ridrejtimit të Lanës dhe zgjerimit të rrugës, është bërë në mungesë të plotë transparence. Askush nuk di me saktësi se çfarë përmban projekti. Deri më tani nuk është bërë publik asnjë studim, dokument, skicë, projekt në lidhje me ndërhyrjen.