Privatizimi i Gjykatës së Lartë, lindja e ‘drejtësisë së plepave’ varianti 2

Nga Neritan Sejamini
Privatizimi i Gjykatës së Lartë, lindja e ‘drejtësisë së plepave’ varianti 2

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka firmosur me Agjencinë amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar (USAID) një memorandum që parashikon krjimin pranë Gjykatës së Lartë të një trupe ndihmësash ligjorë, të cilët do të trajtojnë 35 mijë dosjet që presin të shqyrohen.

Këta punonjës, praktikisht, do të ndikojnë nëse një çështje e paraqitur në Gjykatën e Lartë do të pranohet apo refuzohet prej saj—ata do të kryejnë një pjesë apo të gjitha funksionet e ndihmësve të sotëm ligjore, të cilët studiojnë dosjen dhe përgatisin relacion për vendimet e mëparshme, pretendimet e palëve, problemet ligjore, si dhe japin mendim nëse rekursi duhet pranuar apo refuzuar, në bazë të të cilit gjyqtarët vendosin të pranojnë apo refuzojnë gjykimin e çështjes.

Disa pretendime se puna e këtyre nëpunësve do jetë administrative janë të pavërteta: ata do të kenë qasje të plotë në përmbajtjen e dosjes, do ta analizojnë atë dhe do të hartojnë raporte përkatëse—pavarësisht se kujt do i shkojë produkti i kësaj pune, direkt gjyqtarëve apo këshilltarëve ligjore, kjo është një punë që ligji ja autorizon vetëm ndihmësve ligjore dhe gjyqtarëve.

Memorandumi i ka quajtur këta ndihmësa nëpunës për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura (NUNÇP). Ky emërtim, pa lidhje me drejtësinë, duket se nuk është i rastësishëm—termi ndihmës ligjor është shmangur qëllimisht, sepse përzgjedhja dhe punësimi i nunçpa-ve do të anashkalojë standardet kushtetuese dhe ligjore për ndihmësat ligjorë, edhe pse nunçp-at do të kryejnë pjesërisht apo saktësisht detyrën e ndihmësve ligjorë.

Memorandumi parashikon që nunçp-at do të përzgjidhen, kontraktohen dhe do të paguhen nga East West Management Institute (EWMI), një organizatë private e kontraktuar nga USAID për të zbatuar projektin Justice for All. EWMI do të jetë, gjithashtu, përgjegjëse për trajnimin e tyre, vlerësimin e ecurisë dhe për pushimin e tyre nga puna.

Duke qenë punësim privat, përzgjedhja e nunçp-ave nuk do respektojë asnjë nga standardet për ndihmësat ligjore të Gjykatës së Lartë. Sipas ligjit, ndihmësat, sipas pozicionit në Gjykatën e Lartë, duhet të plotësojnë kushtet që të jenë gjyqtarë të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit dhe paguhen me të njejtin nivel.

Kushtetuta dhe ligji kërkon që ndihmësat ligjore të GJL-së duhet të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, duhet t’i nënshtrohen vetingut dhe të plotësojnë një sërë standardesh profesionale, etike dhe të konfliktit të interesit të cilave u nënshtrohen edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Kurse nunçpa-at nuk ka nevojë të kenë mbaruar magjistratutën, nuk duhet të kenë përvojë në gjyqësor apo çështje gjyqësore, apo të përmbushin kritere strikte profesionale. Ata madje nuk kanë detyrimin të deklarojnë pasurinë dhe konfliktin e interesit.

Nunçp-at jo vetëm nuk do jenë të punësuar nga Gjykata e Lartë, por nuk do të gëzojnë asnjë status, çfarë mbart edhe detyrime profesionale, dhe nuk japin asnjë siguri për integritetin e aktivitetit të tyre profesional.

Mungesën e përvojës dhe shkollimit të tyre, EWMI dhe KLGJ do ta kompensojnë me një kurs trajnimi disa javor, edhe më të shkurtër se përgatitja e të ashtuquajturve “gjyqtarëve të plepave” në vitin 1993, kur me një kurs 6-mujor (të zhvilluar në bllokun e vilave qeveritare në zonën e Plepave në Durrës) u përgatitën dhe emëruan gjyqtarë njerëz pa formim juridik, për të zëvendësuar një pjesë të gjytarëve të trashëguar nga komunizmi.

Me këtë qasje ekstraligjore, memorandumi, praktikisht, privatizon një segment të rëndësishëm të drejtësisë, duke krijuar në Gjykatën e Lartë një trupë juridike pa asnjë lidhje varësie dhe llogaridhënie në institucionet kushtetuese shqiptare dhe pa asnjë mekanizëm supervizimi dhe kontrolli ndaj saj.

Sikurse thekson oika e fundit e memorandumit, memorandumi nuk është i detyrueshëm për palët dhe EWMI dhe USAID nuk marrin asnjë përgjegjësi e nuk mund t’u kërkohet përgjegjësi, as nën ligjin ndërkombëtar, për pasojat e zbatimit të memorandumit.

Pra, EWMI mund të dështojë, mund të abuzojë së bashku me nunçp-at, por nuk mban përgjegjësi para askujt.

I gjithë memorandumi është rast i pastër ultra vires—veprim që mund të bëhet vetëm me autoritetet ligjor, por që bëhet jashtë autoritetit ligjor.

Vetë EWMI është organizatë e debatuar, si për shkak të mbështetjes e financimit në të shkuarën nga filantropisti amerikan Xhorxh Soros, ashtu edhe për rezultatet e dobta të saj në zbatimin e projektit $10 milionë Justice for All—veçanërisht komponentët e medias dhe shoqërisë civile të të cilit kanë harxhuar miliona pa sjellë ndonjë ndikim domethënës.

Mbi të gjitha, EWMI e ka menaxhuar projektin pa asnjë lloj transparence—nuk ekziston asnjë vlerësim, asnjë analizë, asnjë rezultat publik i projektit, madje as ndonjë faqe në rrjet për të—duke zgjedhur të bëjë publike vetëm kronika propagandistike aktivitetesh. Për më tepër, zyra e EWMI-t në Tiranë ka aftësi minimale për punën që po merr përsipër—ajo ka një personel me vetëm tre ekspertë.

Pikërisht, mungesa e çdo detyrimi llogaridhënie dhe mekanizmi kontrolli mund t’i hapë rrugë korruptimit të trupës NUNÇP: është më e lehtë dhe thuajse pa pasoja të korruptosh një nunçp, që punon me kontratë 10 mujore dhe pastaj kthehet në jetën private, se një gjykatës apo ndihmës ligjor që ka status të veçantë, standarde strikte profesionale që duhet të zbatojë dhe një sërë institucionesh që e supervizojnë dhe disiplinojnë.

Viktimat e këtij mekanizmi do të jenë sërish qytetarët shqiptarë, të cilët pasi kanë vuajtur pasojat e një drejtësie të korruptuar dhe të paaftë, pasi kanë përballuar disa vite mungesën e Gjykatës së Lartë, tani do t’u duhet të përballen sërish me një trupë drejtësie të paaftë, pa përvojë dhe që nuk i jep llogari askujt.

Memorandumi midis USAID-it dhe KLGJ-së nuk bazohet në asnjë përcaktim kushtetues dhe në asnjë ligj. Me nënshkrimin e tij, KLGJ-ja praktikisht ka privatizuar kompetencat e saj dhe të Gjykatës së Lartë tek një trupë private në kundërshtim me Kushtetutën dhe me çdo ligj të vendit, si dhe me ligjet dhe praktikën ndërkombëtare.

KLGJ ka shkelur gjithashtu standardet europiane të ndihmës ligjore, që bazohen kryesisht në dy modele, atë francez Référendaire dhe atë gjermano-austriak Rechtspfleger.

Është kjo arsyeja që ky memorandum është kundërshtuar me forcë nga misioni i BE-së Euralius dhe nga Delegacioni i BE-së, por të cilët nuk arritën në fund të ndalonin firmosjen e tij.

Si rezultat, gati 30 vjet pas përvojës skandaloze me “drejtësinë e plepave”, shqiptarët do të provojnë variantin II të kësaj drejtësie: Gjykatë të Lartë “plepash”. Këtë herë “plepat” janë edhe privatë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>