Ish-Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi nën hetim për shpërdorim detyre

Ish-Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi nën hetim për shpërdorim detyre

Ish-Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi është nën hetim për shpërdorim detyre dhe kjo është konfirmuar nga një shkresë e rrjedhur për mediat prej Prokurorisë së Përgjithshme.

Në shkresën, që mban datën 3 shtator, Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar informacione Prokurorisë së Tiranës rreth hetimit të ish-Ministrit të Bujqësisë.

Peleshi po hetohet në lidhje me një urdhër që ai ka dhënë për hedhjen në treg të një sasie të madhe helmi pesticid, i cili thuhet se është i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Informacionet Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar “pa cënuar sekretin hetimor” dhe kjo ka ardhur pas lajmit të transmetuar prej Top-Channel se me urdhër të ish-Ministrit, më 16 maj 2018, janë hedhur në tregun e plehrave bujqësore 4,600 litra helm insektesh që quhet Silicon Mix.

Ky pesticid shitet kinse është pleh, por ai nuk kategorizohet si i tillë. Laboratori i plehrave kimike pranë Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore e ka nxjerrë jashtë listës së plehrave bimore, prej së paku një viti.

Analizat i qenë dërguar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), por ky i fundit u urdhërua nga ish-Ministri që ta linte të qarkullonte pesticidin.

Toksikologu Zihni Sulaj, i pyetur nga Top-Channel, është shprehur se ky pesticid “ka përzjerje kimikatesh dhe metalesh”, si silici, të cilat nëse depozitohen shumë në organizëm “mund të shkaktojnë kancer” dhe madje “edhe keqformime të të lindurve”.

Pas këtij lajmi Prokuroria ka kërkuar informacione me nën dyshimin se “nga publikimet, rezulton se ish-Ministri i Bujqësisë ka lëshuar në kundërshtim me ligjin urdhrin për zhbllokimin e insekticidit Silicon-Mix, i cili përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve, me pasoja të dëmshme për shëndetin”.

Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë Prokurorisë së Tiranës “për vlerësim ligjor” të gjithë raportimin e Top-Channel, dhe ka kërkuar të mbetet në informim për mënyrën se si do të trajtohet.

Niko Peleshi ka qenë Ministër i Bujqësisë nga shtatori i vitit 2017 deri në janar të vitit 2019. Aktualisht kjo Ministri drejtohet nga Bledar Çuçi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>