Prokurorja e Tiranës, Ledina Riza kaloi të premten me sukses procesin e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të prokurores.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Suela Zhegu, Lulzim Hamitaj dhe Etleda Çiftja.
KPK gjeti se prokurorja Riza kishte burime të mjaftueshme financiare për blerjen e apartamentit në Tiranë, por nuk kishte deklaruar një hua prej 850 mijë lekësh të marrë nga bashkëshorti për blerjen e apartamentit në Golem.
KPK gjeti pamundësi financiare në shumën 900 mijë lekë për krijimin e një depozite në vlerën 20 mijë euro në vitin 2013. Komisioni konstatoi pamundësi të pjesshme financiare për blerjen e një autoveture tip Citroen C3 blerë në mars të vitit 2010 për çmimin 11 mijë e 600 euro, në shumën 130 mijë lekë.
Prokurorja Riza u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizimit. Mungesën e denoncimeve nga publiku, KPK e konsideroi si një “rast të rrallë”.
Ledina Riza e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 si e prokurore në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Prej vitit 2007, Riza e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.