Drejtuesi de-facto i Samsung, Lee Jae-young është liruar nga burgu në Korenë e Jugut dhe është tashmë në liri me kusht.
Ai vuajti 207 ditë në burg, pak më shumë se gjysma e dënimit që mori pasi u shpall fajtor për ryshfet dhe përvetësim në Janar.
Çështja e tij përfshinte edhe ish-presidentin e vendit, Park Guen-hye i cili ndodhet në burg për rryshfet dhe korrupsion.
Gjigandi korean i teknologjisë, Samsung Electronics u themelua nga gjyshi i Lee dhe ai ka qenë drejtuesi de-facto i kompanisë që prej vitit 2014. Prej disave ai cilësohet si njeriu më i fuqishëm në Korenë e Jugut.
“Kam shkaktuar shumë shqetësime dhe kërkoj falje për këtë. Po dëgjoj shqetësimet, kritikat dhe pritshmëritë e larta ndaj meje. Do të punoj fortë tashmë” tha Lee për mediat pasi la qelinë e burgut.
53-vjeçare u dënua me dy vite e gjysmë burg nga gjykata në Janar 2021. Ai akuzohet se iu ka dhënë 38 milionë dollarë dy fondacioneve jo fitimprurëse të drejtuara nga Choi-Soon-sil, një mik i ish-presidentit Park, në këmbim të mbështetjes politike. Në këmbim Lee do të merrte mbështetje për një marrëveshje bashkimi kompanishë që përfshinte Samsungun dhe në fund ai do të merrte drejtimin e të gjithë grupit të Samsungut, të cilin familja e tij e kontrollon përmes një rrejeti të ndërlikuar aksionerësh.
Marrëveshja kishte nevojë për mbështetje nga fondi kombëtar i pensioneve i drejtuar nga qeveria.
Në vendimin e saj gjykata tha se Lee “dha ryshfete dhe në mënyrë të nënkuptuar i kërkoi presidentes të përdorte fuqinë e saj për ta ndihmuar të merrte i qetë detyrën” në krye të Samsung.
Gjykata e shpalli Lee fajtor për ryshfet, përvetësim dhe fshehje të të ardhurave të jashtligjshme me vlerë rreth 7.8 milion dollarë.
Ministria e Drejtësisë tha se mori vendimin për lirimin e Lee pasi mori parasysh efektet e pandemisë në ekonominë e Koresë së Jugut dhe tregjet globale.
Në një deklaratë, zyra e Presidentit Moon Jae-in tha se lirimi i tij u bë për interesin kombëtar dhe kërkoi mirëkuptim.
“Ne jemi të vetëdijshëm se ka pikëpamje mbështetëse dhe kundërshtuese për lirimin me kusht të Lee. Pikëpamjet e njerëzve që e kundërshtojnë këtë vendim janë gjithashtu të drejta. Nga ana tjetër, ka pasur shumë njerëz që kërkuan lirimin e tij me kusht në këtë krizë të rëndë, duke shpresuar se ai do të ndihmojë vendin në lidhje me gjysmëpërçuesit dhe vaksinat.”, thuhej në deklaratë.
Sidoqoftë, kushtet e lirimit me kusht të Lee përfshijnë pesë vjet kufizime në biznes – është e paqartë nëse ai do të jetë në gjendje të drejtojë kompaninë nëse nuk bëhen përjashtime.
Ai gjithashtu do të ketë nevojë për leje për çdo udhëtim jashtë vendit.
Lee është gjithashtu nën hetim për mashtrim dhe manipulim të aksioneve dhe nëse shpallet fajtor mund të burgoset përsëri.