Propozimi i KQZ i ndalon qeverisë ‘propagandën’ 4 muaj para zgjedhjeve

Nga Exit News
Propozimi i KQZ i ndalon qeverisë ‘propagandën’ 4 muaj para zgjedhjeve

Kryeministrit dhe ministrave i ndalohet të marrin pjesë në prezantime projektesh dhe investimesh, dhurime banesash ose shpërdarje legalizimesh 4 muaj para zgjedhjeve.

Ky është propozimi i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i siguruar nga ABC News, ku këto aktivitete cilësohen si abuzim i partisë në pushtet me burimet shtetërore në funksion të zgjedhjeve.

Kufizimi i qeverisë 4 muaj përpara zgjedhjeve u vendos në Kodin Zgjedhor gjatë negociatave në Këshillin Politik.

Sipas dokumentit, prej 25 dhjetorit, disa prej zyrtarëve më të lartë të vendit iu ndalohet të bëjnë propagandë me iniciativat shtetërore.

Konkretisht ata e kanë të ndaluar të marrin pjesë në promovimin e projekteve ose investimeve në transport, energji, mjedis, shëndetësi, kulturë dhe arsim.

Gjithashtu ndalohet të reklamohen objekte të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore dhe shpërndarja publike e lejeve të legalizimeve.

Lista e zyrtarëve që iu referohet KQZ përfshin: kryeministrin, zëvendëskryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat, kryetarët dhe nënkryetarët e bashkive, drejtorët e përgjithshëm të agjencive, apo shoqërive si OSHEE, Ujësjellës, Posta, etj.

Qeverisë i ndalohet të marrë vendime për rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve.

Gjatë kësaj periudhe 4 mujore, qeveria dhe institucionet e tjera do të duhet të njoftojnë KQZ-në 5 ditë para për çdo aktivitet.

Nëse Komisioneri Shtetëror do ti vlerësojë si të ndaluara, ato duhet të anulohen dhe nuk lejohet transmetimi i tyre në media.

Për shkelësit parashikohen edhe gjoba të cilat shkojnë nga 10 000 – 500 000 lekë.

Por që ky vendim të hyjë në fuqi ai duhet të miratohet në Komisionin Rregullator në KQZ, ku PS ka mazhorancën dhe mund ta rrëzojë atë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>