Para disa ditësh, mediat informuan se në Tiranë ka rreth 5 mijë vajza të regjistruara si prostituta online, përmes një faqe interneti, të hamendësuar angleze, e cila ofron videokonferenca seksuale—në këmbim të parave, femrat ofrojnë, përmes videos në internet, autoerotizëm dhe gjimnastika të tjera erotike, eksituese për klientin, i cili paguan direkt online për këtë lloj shfaqjeje.
Duket se tarifat janë shumë interesante për atë që administron këtë aktivitet: nga 200 deri në 400 paund, pra, nga 250 deri në 500 euro për një orë spektakli, me komandë.
Sigurisht, fitimi nuk i shkon i gjithi vajzave—ai që administron faqen, pra furnizon klientët nga mbarë bota dhe mbi të gjitha garanton sistemin e pagesës, kërkon pjesën e tij.
Duket një biznes i mirë, por policia shqiptare, e pastër dhe moraliste, ditët e shkuara e ka ndërprerë këtë praktikë, duke arrestuar për prostitucion (dhe respektivisht për favorizim të prostitucionit) si vajzat që e jepnin shfaqje dhe “zonjën” e bordellos elektronike, e cila kishte komentuar se nuk e dinte që ky aktivitet ishte i ndaluar nga ligji.
Po a i ka të gjitha fajet “tutorja online”, a jemi të sigurtë që një aktivitet i tillë mund të quhet prostitucion? Çfarë ndryshimi ka ndërmjet një botuesi të një gazetë pornografike dhe “tutores” tonë?
Duke u shfaqur lakuriq dhe duke folur direkt për aktin seksual nuk duket të jetë shumë ndryshe nga ai që ndodh në një lokal kërcimi në prehër, ku artistet luajnë në një skene që përfaqëson simbolin e fuqisë seksuale mashkullore, dhe fakti që paguhet për të hyrë në lokal dhe për pije dhe jo direkt për kërcimin nuk duket të jetë ndryshim i madh në lidhje me klientët online që paguajën për kohën gjatë së cilës “artistja” është në gadishmëri online, pra pa asnjë kontakt fizik, të dëshirave dhe tekave të tij.
Fatkeqësisht, hipokrizia e thellë e legjislacionit shqiptar e ndalon dhe e sanksionon penalisht dhënien e favoreve seksuale për para, çfarë është në shumë vende është një mundësi e lirë e qytetarëve dhe qytetareve.
Në historinë e njerëzimit ka shumë histori karriere, pasurimi, pushteti, të ndërtuara falë marrëdhënieve seksuale. Edhe në historinë e Shqipërisë, të shkuar e bashkëkohore, ka mjaft raste grash në karrierë të cilat kanë arritur vende suksesi përmes një përdorimi të kujdesshëm të hireve të tyre apo lëshimeve të dhënien qëllimshme të seksit. Nëse shoqëria shqiptare nuk do ishte kaq maskiliste, lista do të zgjerohej edhe me shumë burra.
Çuditërisht, një ligj i dëshiruar nga Berisha në kohën e tij, me qëllim largimin e imazhit negativ të Shqipërisë si rezultat i mijëra prostitutave shqiptare në rrugët e Evropës, ka sanksionuar se në Shqipëri seksi mund të bëhet vetëm për dashuri, pra për rrjedhojë vetëm falas, ndërkohë që mijëra motele të dyshimta shfaqen rrugëve të Shqipërisë, me pretendimet e shtirura turistike.
Sidoqoftë, pyetja e “tutores elektronike” mbetet interesante, nëse të çiftëzohesh me para është krim, jemi me të vërtetë të sigurtë që të marrësh lekë pa u çiftëzuar, por vetëm duke u parë, është krim?
Nëse është kështu, atëhere një ecje e thjeshtë e prokurorëve në zonën e Bllokut do të sillte aq shumë dënime sa do të mbusheshin stadiume të tëra.