Re të zeza grumbullohen mbi Tiranë si ogur i zi për protestën e opozitës.
Një ditë para protestës, sërish lajmërimet e zakonshme me dy kuptime të ambasadave të “rëndësishme”: gjithçka qetë, por bëni kujdes. Më shumë për t’u justifikuar, nëse nesër mund të ndodhi ndonjë gjë.
Madje edhe Ambasada Italiane, e cila kohët e fundit është gjithmonë e më e tërhequr, bëri një lajmërim jo të zakonshëm. Në dukje i drejtohej më shumë protestuesve të Gay Pride, por theksonte se duhej qëndruar larg tendës “në fund të protestës”.
Të gjithë, ndërkombëtarë e qytetarë të thjeshtë kërkojnë të kuptojnë nëse do të ketë trazira nëser, nëse do të ketë aq shumë pjesmarrës sa në 18 shkurt apo më pak, nëse policia do t’i provokojë protestuesit apo jo, nëse do të ketë grupe të caktuara të infiltruara nga dikush ose provokues organikë në protestë, apo vetëm qytetarë paqësorë e të qetë.
Të gjithë qarqet politike të vendit, si majtas dhe djathtas, me përjashtim të ndonjë ministri të Rilindjes dhe të disa grupeve militante, shpresojnë që nesër të ndodhi ndonjë gjë e cila të mund të hapë lojën, të lirojë ndonjë vend ministror. Të gjithë shpresojnë të ndodhë ndonjë gjë, por përgjithësisht të gjithë ruhen të mos shkaktojnë ndonjë trazirë. Por një grup provokuesish në Shqipëri kushton vetëm pak mijëra lek.
Sigurisht, ndonjë gjë edhe mund të ndodhë, duke ditur se të gjitha përvojat e deritanishme me faktorin ndërkombëtar tregojnë se protestat paqësore nuk sjellin asgjë, nuk prodhojnë vemendje, nuk bëjnë lajm, nuk mbushin hotelet me gazetarë, nuk mund të dramatizohen në raportet ndaj shefave, nuk krijojnë një aureolë të lavdishme të funksionarit që shkruan nga Tirana, dhe nuk shërbejnë as për të kërkuar një rritje sado të vogël të pagesës dhe dietave për shkak të vështirësisë së punës në një vënd ku “rrezikohet jeta”.
Për të tërhequr vemendjen, për t’u kthyer në faktor, duhet të bësh zhurmë, dhe do të shohësh se në fund pikërisht funksonarët ndërkombëtarë do të jenë të gjithë të kënaqur që mund të kenë një rol, ndoshta edhe vetëm për të “dënuar me vendosmëri dhunën”
Ndoshta nuk do të ndodhi të shtunën, por në javët dhe në muaj në vijim duhet të ndodhi diçka me domosdo, dhe pështjellimi që do të krijohet do të ndihmojë për të fshehur përgjegjësinë e një komuniteti të tërë ndërkombëtarësh që për vite të tëra nuk ka dashur të shohë, raportojë dhe të denoncojë atë që po ndodhte në Shqipëri nën syrin e tyre.
Edhe ata, si shumë shërbëtorë të qeverisë, e kanë vlerësuar më të vlefshme të heshtin dhe të fitojnë mirëbesimin e sheikëve vendas, të cilët gjithnjë e më euforikë mburren mes tyre për mënyrën si i sollën vërdallë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.
Dhe kështu situata ka degjeneruar gjithnjë e më shumë dhe nga gjendja e një shtet të dobët tashmë jemi në gjendjen e një territori jashtë kontrollit.
Nëse, Zoti mos e dashtë, ka trazira e të lënduar, faji nuk do të jetë vetëm i idiotit që tërheq këmbëzën, apo vetëm i kryetarit të opozitës, apo i kryetarit të shumicës, faji do të jetë, si gjithmonë, edhe i turmës së shërbëtorëve budallenj, të mirëpaguar, që referencë kanë përherë veten, nën mbrojtjen e imunitetit të tyre diplomatik, të cilët kanë zgjedhur të besojnë gënjeshtra e, madje, shpesh kanë ndihmuar në krijimin e tyre.
Këta diplomatë justifikojnë veprimet e tyre me alibinë e mos dëmtimit të interesit të përgjithshëm, për qëllime të paqarta gjeopolitike, kur në të vërtetë i shërbejnë vetëm interesit të tyre personal.
Kur ata flasin për “99,8 për qind të shkatërruara” kjo nuk ka të bëjë me plantacionet e drogës, por mbi atë që shumë zyra të huaja duan të besojnë për interesat e tyre.