Protesta tek Astiri, policia shoqëron në komisariat 10 banorë, përfshi të moshuar e gra shtatzëna

Protesta tek Astiri, policia shoqëron në komisariat 10 banorë, përfshi të moshuar e gra shtatzëna

Dhjetë banorë të zonës së Astirit, që kanë protestuar këto ditë kundër prishjes së banesave dhe bizneseve që preken nga ndërtimi i rrugës, janë shoqëruar sot në Komisariatin e Policisë Numër 6, në Kombinat. Banorët, mes të cilëve dhe të moshuar dhe një grua shtatzënë, akuzohen se kanë organizuar protestë, pa marrë leje në organet përkatesë.

Pas daljes Mes të shoqëruarve në polici është dhe një grua shtatzënë, e cila deklaroi për televizionin FaxNews:

“Na akuzojnë se kemi organizuarr tubim ose protestë, dhe thonë që çdo gjë ka qenë e paligjshme, ne po na nxjerrin jashtë, ky është shteti jonë, me çfarë do dal jashtë?

Për mua nuk do ketë ndjekje penale por për tjerët, po. Më kanë liruar vetëm për shkak të gjendjes. Kemi thirrur avokatin, kërkojnë që ne të mos bëjmë protestë. Patjetër që protestën do ta vazhdojmë, unë e humbur se humbur jam.”

Një tjetër prej protestuesve tregoi se i kanë shoqëruar në komisariat mamanë, ndaj të cilës policia ka ushtruar presion që të mos dalë më në protestë:

“Sot ka ardhur policia, ka shoqëruar mamanë time. U është bërë presion i paparë për të mos dalë në protestë dhe u është thënë që të ndiqen penalisht për tubim të paligjshëm. Ne nuk kemi cënuar askënd, po mbrojmë të drejtën tonë me mish e me gjak. Kjo është policia jonë, e degjeneruar që merr gra shtatzanë, baballarë që janë 70 vjeç dhe i mban aty. Ne kërkojmë që të na lirohen njerëzit tanë pa i proceduar penalisht ose ne do flemë para derës së komisariatit.”

Pavarësisht ndërhyrjeve të policisë, banorët u shprehen të vendosur për të vazhduar protestën në mbrojtje të provave të tyre.

Më shumë se 300 ndërtesa, shtëpi dhe biznese, janë parashikuar të prishen nga qeveria, për t’i hapur rrugë rindërtimit të një pjesë të unazës së madhe të qytetit të Tiranës, nga vendi i njohur si Pallati me Shigjeta deri tek Rrethrrotullimi Shqiponja. Banorët shprehen se ka pasur devijime nga projekti fillestar i rrugës dhe se ata janë lajmëruar vetëm tre ditë më parë që pronat e tyre do të prishen.

Banorët pretendojnë se devijimi i projektit është bërë për arsye klienteliste, për t’i shërbyer interesit të disa biznesmenëve që duan të ndërtojnë pallate në këtë zone.

Më shumë për tenderët pa garë dhe me kompani të vogla të regjistruara në  parajsa fiskale që bashkia Tiranë ka zhvilluar për këtë rrugë mund të lexoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>