Partia Demokratike organizoi para tre ditësh protestën e saj të tretë brenda 10 ditësh, me qëllim largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, e cila duhet të përgatisë zgjedhje të parakohshme.
Duke i analizuar këto protesta, mund të nxirren të paktën katër konkluzione.
1. Partia Demokratike nuk ka ende një kauzë për largimin e qeverisë. Lajtmotivi i fjalimeve në protesta ishin varfëria në rritje, keqqeverisja dhe korrupsioni. Të gjitha mund të jenë të vërteta, por ato nuk janë shkak i mjaftueshëm për largimin e qeverisë me protesta dhe për krijimin e një qeverie teknike.
Në sistemet demokratike, qeveritë që keqqeverisin apo nuk mbajnë premtimet, largohen me votë, në zgjedhjet e rradhës. Në vendet europiane, rrallë mund të ndodhë që shumicat të rrëzohen nga pushteti me protesta në rrugë. Aq më pak mund të pritet të ndodhë kjo gjë në një vend si i yni, ku as skandalet më spektakolare dhe as krimet e pastra nuk kanë çuar ndonjëherë në dorëheqje.
Për më tepër, gjendja e sotme e qeverisjes është pak a shumë gjendja e përhershme e keqqeverisjes, korrupsionit dhe klientelizmit tashmë 25 vjeçar. Natyrisht, militantët e secilës palë i shohin gjërat ndryshe – kundërshtarin të zi e veten të bardhë – por e vërteta është qeverisja e sotme ndryshon vetëm në nuancë nga qeverisjet e shkuara, por jo në thelb.
2. Të rinjtë e PD-së kanë lindur “të vjetër”. Mitingu i fundit i PD-së pati protagonistë anëtarët e forumit të saj rinor. Dhjetra të rinj demokratë folën njëri pas tjetrit në tribunë, por fjalimet e tyre nuk kishin asgjë të re. Ishin ricikilim e recitim klishesh, parrullash, akuzash, ulërimash. Fjalimet më të pranueshme ishin ato që u mjaftuan thjesht me recitime melodramatike, por nuk u rrëmbyen nga “pasionet” revolucionare. Të rinjtë demokratë nuk duket se kanë ide të reja, vizion të ri apo frymë të re. Madje nuk kanë as poza e as xheste ndryshe. Ata janë njësoj si të vjetrit dhe kanë fillaur të ecin në të njejtën rrugë karriere që ndoqën edhe të vjetrit për t’u bërë “udhëheqës”.
Ishte domethënëse, për shembull, që kryetari i sapozgjedhur i forumit rinor demokrat, nuk tregoi më shumë imagjinatë apo rini se sa ta sulmonte “armikun” duke përdorur një nga shprehjet më banale dhe më arrogante të vetë armikut, teksa ju drejtua atij i krekosur: “Zoti Rama, nuk keni parë asgjë akoma!”
3. PD nuk po arrin të krijojë, qoftë edhe për makiazh, një imazh të ri. Të kesh për kauzë kryesore politike korrupsionin dhe keqqeverisjen dhe ta përcjellësh këtë kauzë me anë të figurave të larguara nga pushteti pikërisht për korrupsion është e pashpjegueshme politikisht dhe e papranueshme moralisht. Për më tepër, të kërkosh mbështetjen e qytetarëve duke ju dhënë përshtypjen se ministrat e së ardhmes mund të jenë ata të së shkuarës është miopi politike.
4. PD nuk po arrin të kthejë në mbështetje për të, pakënaqësinë popullore ndaj degradimit korruptiv e klientelist të qeverisë. PD ka zgjedhur të përqafojë aksione politike që ngjallin interesin dhe mobilizojnë vetëm militantët e njerëzit me mentalitet politik revolucionar. Por kjo strategji nuk ngjall as shpresë e as besim tek simpatizantët apo publiku i pa pozicionuar politikisht.
Asnjë forcë politike në vend nuk ka ardhur në pushtet vetëm me votat e militantëve apo anëtarëve të saj. As me votat e vetëm simpatizantëve të saj. Gjithmonë, janë dashur edhe votat e njerëzve pa preferenca të qëndrueshme politike, por që kërkojnë një politikë qytetare e qeverisje të mirë, pavarësisht se kush vjen në pushtet.
Këta njerëz nuk afrohen me thirrje revolucionare apo me inskenime dramatike në rrugë, as me thirrje me zë të ngjirur. Ata ndikohen me arsyetim dhe me sjellje e veprime politike ndryshe. Por veprimet e fundit të PD-së, jo vetëm që nuk po e afrojnë këtë kategori, e cila është e para që është zhgënjyer nga qeverisja socialiste, por po krijojnë përshtypjen se keqqeverisja socialiste është thjesht diçka relative.