Dhjetra qytetarë në zonën e Mirditës kanë protestuar të dielën dhe janë përplasur me policinë.
Qytetarët kundërshtojnë ndërtimin e një hidrocentrali dhe fabrike uji në fshatrat Thirrë dhe Fang.
Ata u mblodhën pranë tunelit të Thirrës dhe marshuan drejt kantierit të ndërtimit të HEC-it.
Më pas protesutesit kanë tentuar të bllokojnë Rrugën e Kombit por janë përballur me policinë.
Besnik Paci, banor i zonës tha për mediat si kjo është një vepër kriminale dhe banorët do ta marrin vete në dorë fatin e fshatit.
Në mbështetje të protestuesve kishin shkuar edhe qytetarë nga Kosova si dhe organizata të ndryshme, të cilat bënë thirrje për ndalimin e shkatërrimit të natyrës.
Banorët kanë bërë kallzim në prokurori për falsifikim të firmave të tyre, sikur ata kanë marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga njësia administrative Fan në bashkëpunim me firmën ndërtuese. Organet e drejtësisë nuk kanë reaguar ende për këtë çështje.