Qindra mbështetës të Partisë Demokratike, që po protestojnë kundër ndërtimit të këndit të lojrave në Parkun e Liqenit, kanë arritur të rrëzojnë gardhin prej hekuri të kantjerit të ndërtimit. Pavarësisht kordonit të ngjeshur policor, ata kanë arritur të futen brenda rrethimit.
Mbi 300 policë nga reparti i Shqiponjave, Forcave Speciale dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë po përplasen me protestuesit, dhe po tentojnë t’i nxjerrë ato me dhunë nga kantjeri i ndërtimit.
Mësohet se policia ka shoqëruar disa prej protestuesve në komisariat. Njëri prej të arrestuarve është Ndriçim Babasi, kryetari i Partisë Demokratike për njësisë 5 në Tiranë.
Disa të tjerë janë dërguar në spital pas dëmtimeve nga dhuna e ushtruar prej policëve. Mësohet se mes të dëmtuarve janë dhe tre punonjëse policie.
Në protestë janë të pranishëm dhe shumë figura publike të Partisë Demokratike, përfshi deputetët Edi Paloka, Gerti Bogdani, Flamur Noka, Gent Strazimiri dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë.
Deputeti Edi Paloka deklaroi se PD-ja është e vendosur për të ndalur këtë ndërtim të paligjshëm të Kryebashkiakut Veliaj.