Partia Socialiste ka mbyllur procesin e aplikimeve në platformën “Deputeti që Duam”, 7 javë pasi u prezantua nga kryeministri Rama.
Sipas Report TV, rreth 1 600 persona kanë aplikuar për të qenë pjesë e listave të PS në zgjedhjet e 25 prillit.
Nisma “Deputeti që Duam”, u prezantua nga kryeministri Rama në muajin tetor si një ftesë e hapur për këdo që ka ambicien për t’u futur në politikë e për të qenë pjesë e Partisë Socialiste.
Aplikimi në platformë bëhej “online” duke dërguar një video ku kandidati shpreh arsyet për t’iu bashkuar PS, një CV të jetës profesionale dhe një letër angazhuese.
Me mbylljen e procesit, pritet tashmë të vlerësohen rreth 1 600 video dhe CV dhe nga të cilat do të përzgjidhen 100 prej tyre për fazën e fundit. Kjo e fundit, konsiston në përzgjedhjen e 20 kandidatëve të cilët do të jenë në listat e PS në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.