Bashkëktyetari socialist i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri ka argumentuar se lejimi i koalicioneve parazgjedhore mund të minojë procesin e administrimit të zgjedhjeve me numërim elektronik dhe lista të hapura.
Kjo është provuar në rastin e projektit pilot për votimin dhe numërimin elektronik, kujton ai, kur për shkak të listës së gjatë të partive, fleta e votimit u bë e pamundur të lexohej nga paisjet teknologjike.
“Së pari, konfuzioni i rritur i zgjedhësve përpara fletës së votimit do të çojë automatikisht në rritje të numrit të fletëve të pavlefshme.
Së dyti, zgjatje e frikshme e kohës së numërimit të votave.
Së treti, secila parti dhe secili kandidat ka të drejtën që të kontestojë numërimin e çdo vote çka çon në rritjen e numrit të kontestimeve e sposton në kohë të pacaktuar tabulimin dhe nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve.”, shkruan Gjiknuri.
Kjo do të sillte kaos, ndotje të procesit të votimit dhe destabilitet, gjë që evitohet nëse partitë e koalicionit garojnë nën një listë të vetme.
Gjiknuri fton opozitën jashtëparlamentare të mbështesë amendamentet kushtetuese të miratuara në Këshillin e Legjislacionit, pasi sipas tij krijojnë kushtet dhe nuk përjashtojnë hapjen e listave 100%.