Ka një fakt që nuk përmendet fare në lidhje me këndin e lojrave që Kryebashkiaku Veliaj ka vendosur të ndërtojë në mes të Parkut të Liqenit: projekti nuk është i publikuar askund, as në faqen e Bashkisë së Tiranës dhe në asnjë faqe tjetër publike. Jo vetëm projekti i plotë dhe përshkrimi teknik që nuk janë bërë publike, por nuk është publikuar qoftë edhe një skicë apo një maket i vetëm i projektit.
Kryebashkiaku, që nuk harron të promovojë edhe veprimet e projektet më të parëndësishme të administratës së bashkisë së tij, çuditërisht nuk ka publikuar asgjë mbi një projekt që ai deklaron se është shumë i rëndësishëm për qytetin dhe sidomos për të ardhmen e fëmijëve të qytetit. Madje, ai ka publikuar të dhëna dhe foto edhe për këndet e lojrave në Central Park të Nju Jorkut, por jo për atë që kërkon të ndërtojë vetë.
E vetmja gjë publike është një video-reklamë, e shpërndarë fillimisht nga Kryeministri Rama dhe pastaj Kryebashkiaku Veliaj, e cila është bërë për qëllime propagandistike dhe nuk përbën dokument zyrtar.
Nga pikëpamja publike, projekti i këndit të lojrave, është projekt fantazmë, që ekziston vetëm në rrëfenjat e Kryebashkiakut Veliaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Përkundër kësaj qasje jotransparente dhe në shkelje të ligjit, Kryebashkiaku dhe drejtuesit e tjerë të bashkisë kanë ndërmarrë, prej tre javësh, një fushatë intensive dhe të pandërprerë të përpunimit dhe manipulimit të opinionit publik, në favor të projektit që nuk bëhet publik.
Vetë Zoti Veliaj ka qënë gjatë dy javëve të fundit në shumicën e emisioneve kryesore të debatit në vend, përfshi emisionet Opinion, Top Show, Tonight, etj. Zëvendësat e tij Arbjon Mazniku e Brunilda Paskali, anëtarët më të rëndësishëm socialistë të Këshillit Bashkiak dhe drejtues të tjerë të bashkisë kanë rrahur pa ndërprerje të gjitha emisionet e debatit dhe të lajmeve në vend.
Nga ana tjetër, bashkia ka organizuar një sërë aktivitetesh të tjera, kinse për të propaganduar këndin e lojrave, përfshi një koncert për fëmijë në park.
Nga një vlerësim i përafërt, rezulton se, vetëm gjatë dy javëve të fundit, drejtuesit e Bashkisë Tiranë, përfshi Kryebashkiakun Veliaj, kanë harxhuar mbi 70 orë në transmetime televizive për të propaganduar dhe dhënë shpjegime për këndin e lojrave.
Paralel me këtë fushatë, Zoti Veliaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë ndërmarrë një tjetër fushatë sistematike për diskreditimin, përçmimin dhe hedhjen baltë ndaj protestuesve e zërave kritikë, duke i thirrur ata , ndër të tjera, “vandalë”, “histerikë”, “të përdorur politikisht”, etj.
Zotit Veliaj ka përdorur, gjithashtu, nga njëra anë policinë bashkiake dhe atë të rendit kundër protestuesve, ndërsa nga ana tjetër ka bërë çdo përpjekje informale për të bindur apo joshur disa nga kritikët më të spikatur për t’u tërhequr.
I gjithë ky aktivitet është, pa asnjë dyshim, energji, kohë dhe kosto e jashtëzakonshme.
Po pse duhet që Zoti Veliaj e të tijtë të harxhojnë kaq shumë energji kur mjafton të publikojnë projektin dhe të dhënat e tij për t’i kursyer vetes shumë mund e shumë keqkuptime?
Pse Kryebashkiaku Veliaj nuk bën publike projektin e dokumentet ligjore dhe administrative që pretendon se i ka, nëpër studio televizive, përfshi lejen përfundimtare të ndërtimit, studimin e ndikimit në mjedis, lejen mjedisore, lejen arkeologjike, raportin e dëgjesës së publikut?
Nëse do ta bënte, ai do të shuante menjëherë, në mos të gjithë zërat kritikë, të paktën shumicën e tyre dhe, me gjasa, do të kishte në anën e tij gjithë opinionin publik të vendit.
Arsyeja është e thjeshtë: sepse nuk i ka.
Projekti i këndit të lojrave filloi të zbatohet në mënyrë arbitrare, pa plotësuar asnjë kusht minimal ligjor dhe administrativ dhe, për më tepër, me elementë që, praktikisht, e betonizonin atë pjesë të parku të liqenit.
Reagimi i menjëhershëm qytetar, e kapi të papërgatitur Zotin Veliaj dhe që nga ai moment të gjitha veprimet e tij kanë qenë veprime konfuze dhe kundër-reaguese për të mbajtur në kontroll pakënaqësinë, për të manipuluar opinionin dhe për të fituar kohë për përshtatjen e projektit dhe plotësimin e një minimumi kushtesh ligjore dhe administrative për zbatimin e tij.
Është e sigurtë që, në ditët e ardhshme, ai, më në fund, do të bëjë publike një pjesë të dokumenteve të prodhuara apo përshtatura në ngut e sipër këto ditë.
Me shumë gjasa, në atë moment, në mënyrë triumfale, ai do të akuzojë të gjithë ata që e vunë në dyshim qëllimin dhe përkushtimin e tij dhe do të recitojë ndonjë persiatje të zakonshme populiste.
Po le të presim edhe disa ditë, për këtë çast kulmor të Kryebashkiakut Veliaj.
Deri atëhere, mund të lexoni kronologjinë e zhvilimeve të deritanishme të kësaj çështje, me disa sqarime.
***
14 dhjetor 2015
Bashkia hap tenderin për kontraktimin e ndërtuesit të këndit të lojrave. Në tender paraqiten dy kompani, njëra e krijuar vetëm dy muaj më herët dhe që nuk paraqit ofertë financiare.
Fituese shpallet kompania e vetme e mbetur në tender, një konsorcium që drejtohet nga kompania Riviera shpk.
8 shkurt 2016
Bashkia lidh kontratën e ndërtimit me konsorciumin fitues.
10 shkurt 2016
Fillon ndërtimi. Rrethohet kantieri dhe fillon prerja e pemëve.
Punimet fillojnë pa masterplan të miratuar të parkut, pa leje ndërtimi, pa leje mjedisore, pa realizuar studimin e ndikimit në mjedis, pa informuar publikun dhe pa bërë asnjë dëgjesë publike. Të gjitha janë, ndërkohë, detyrim ligjor.
Fillon menjëherë reagimi publik. Kryebashkiaku Veliaj akuzohet për veprime të paligjshme.
12 shkurt 2016
Hartohet me urgjencë një vendim qarkullues i Këshillit Kombëtar të Territorit për leje ndërtimi me kusht për këndin e lojrave, pa e mbledhur formalisht KKT-në. Vendimi u çohet dorazi të gjithë anëtarëve të KKT-së, një e nga një, për firmë. Ministrat e LSI-së, Manjani, Koka, Haxhinasto, nuk e firmosin.
Vendimi i lejes me kusht, në fakt, konfirmon që për ndërtimin deri në këtë moment nuk ka leje mjedisore dhe as dokumenta të tjerë teknikë e ligjore, pasi vendimi shprehet qartë se dukumenti i lejes së ndërtimit duhet të lëshohet vetëm mbasi të plotësohet dokumentacioni i munguar tekniko-ligjor.
17 Shkurt 2016
Bashkia e Tiranës shpall një tender për kontraktimin e supervizorit të punimeve. Data 26 shkurt ishte dita e fundit e pranimit të ofertave. Fituesi nuk është bërë ende publik.
Ligji kërkon që punimet nuk mund të fillojnë pa patur superivizion.
21 Shkurt 2016
Zëvendës Kryetari i Bashkisë pranon në studion e emsionit Opinion se për projektin nuk ka leje ndërtimi.
21-26 shkurt 2016
Dikur, gjatë kësaj periudhë bashkia ka urdhëruar kryerjen e një studimi të vlerësimit në ndikimit në mjedis. Në një takim, më përfaqësues të shoqatave mjedisore, Kryebashkiaku Veliaj pranon se nuk ka ende një vlerësim të tillë, por ai është duke u bërë.
Nuk dihet se si u kontraktua hartuesi i studimit dhe afatet e vendosura për kryerjen e studimit, që normalisht ha muaj të tërë për tu përfunduar.
Ndërkohë, punohet për ndryshimin e projektit origjinal, për të larguar pikat që mund të hasin kundërshti publike, përfshi heqjen e një piste betoni për patina me rrota dhe zëvendësimin e fushave prej asfalti të basketbollit me fusha gome.
29 shkurt 2016
Kryebashkiaku Veliaj deklaron në emisionin Opinion se ka një studim të vlerësimit në mjedis por nuk jep asnjë të dhënë dhe nuk pranon ta bëjë publik.
2 mars 2016
Kryebashkiaku Vleiaj boton në faqen e tij në Facebook foto të këndeve të lojrave në Central Park të Nju Jorkut, me komentin që kështu do bëhet edhe këndi i lojrave në Parkun e Liqenit.
Artikuj të lidhur:
Thellohet skandali i këndit të lojrave në Parkun e Liqenit
Kryebashkiaku Veliaj pranon që ndërtimi në park është i paligjshëm
Paligjshmëria dhe arbitrariteti i Zotit Veliaj dhe pamendtë e mia