Pse ndërtimi në park është skandal i vërtetë mjedisor

Nga Redaksia
Pse ndërtimi në park është skandal i vërtetë mjedisor

Protesta për Parkun e Tiranës po ngre shumë diskutime mes njerëzve të thjeshtë. Temat dhe argumentat që po përdoren nga eksponentët kryesorë të politikës, sikurse ndodh rëndom, po trajtohen nga individë të ndryshëm, pro ose kundra projektit, më tepër me një ngjyrim politik se sa me një logjikë racionale apo të kthjellët në dobi të interesit publik.

Bashkia e kapur në flagrancë tentoi, menjëherë, t’i ndajë formacionet ashtu siç është e nevojshme për politikën: në favor të projektit janë ata që, me të vërtetë e duan parkun, natyrën dhe fëmijët, domethënë të mirët, që natyrisht që vijnë nga Partia Socialiste; ndërkohë që kundër projektit janë armiqtë e shoqërisë, vandalët, ata që nuk arsyetojnë dhe që nuk kanë fëmijë, me pak fjalë të këqinjtë, natyrisht të përfaqësuar nga kundër-reformistët e Partisë Demokratike.

Kështu që daullet e bashkisë dhe të qeverisë i mbushën emisionet televisive me njerëz që ndërtonin supozime të ndryshme midis parkut dhe parkut urban, që shpjegonin nevojën për ta bërë parkun sa më të aksesueshëm nga familjet, që argumentonin se pemët e prera ishin vetëm ato të sëmura, dhe të tjera argumente tekniko-ambientale; duke i lënë kështu përfaqësuesve të PD-së argumente qesharakë si, për shembull, zvogëlimin e sipërfaqes së parkut nga kalimi i biçikletave, numri i pemëve të prera, praninë e hekurit dhe çimentos në strukturat e këndit të lojrave, apo nevojën për tapet gome në vend të asaj prej asfalti në fushat e basketbollit. Ndoshta argumente ekologjikisht korrekte, por që perceptohen me vështirësi nga opinioni publik, që në fund të fundit nuk do të ishte shumë i pakënaqur nga një park publik me shumë.

Kështu, gjithë vëmendja u zhvendos aty ku donte politika: nga një anë të mirët, atë cilët duan që fëmijët të luajnë nëpër parqe, ndërsa, nga krahu tjetër, një grup fanatikësh pa argumente të kuptueshme.

Por, ajo që po ndodh në park është me të vërtetë një katastrofë mjedisore, ose më mirë një sulm ballor i ekosistemit në të cilin jetojmë, një dëm me potencial të lartë në çdo nivel ekologjik: një grup që ka pushtetin po bën me parkun atë që dëshiron, pa respektuar asnjë ligj e procedurë, dhe nëse kjo ”ndotje” nuk do të ndalet, atëhere do të jetë i mundshëm çdo shfrytëzim tjetër i parkut, që nga shpyllëzimi i tij deri tek tharja e liqenit për të ndërtuar në sipërfaqen e tij—ide që ish-kryebashkiaku Rama e hodhi në publik në mes të viteve 2000.

Në fakt, një park, qoftë ai park kombëtar apo urban, është i tillë sepse egziston një ligj që e përcakton në cilësitë e tij, në kufijtë gjeografikë dhe në mënyrën e përdorimit dhe ruajtjes, dhe konsiderohet me të vërtetë i tillë në qoftë se ky ligj zbatohet në të vërtetë.

Në qoftë se ligj nuk ka, por edhe në qoftë se ka e nuk zbatohet, çdo livadh, çdo lëndinë apo çdo territor mund te jetë park ose pikë pikë hedhje mbeturinash, sipas dëshirës apo vrazhdësisë së atij që kalon aty. Apo sipas forcës fizike të dikujt që dëshiron ta përdorë për qëllime të tjera apo të dikujt tjetër që do ta ruajë në gjendjen e tij natyrale.

Në qoftë se ligji nuk egziston, ose nuk zbatohet, në asnjë park nuk do të ketë as lule që të bjënë hije, ose lule që lëshojnë aromë, e ndoshta nuk do të ketë as fëmijë që luajnë apo gjyshe që ulen e bisedojnë.

Në qoftë se nuk ka ligj, nuk ka asnjë të ardhme për të gjithë ekosistemin e vendit, në të cilin njerëzit janë vetëm një pjesë e tij, ashtu sikurse pas një katastrofe bërthamore do të mbeten vetëm pallate bosh dhe një botë pa jetë.

Vetëm nën hijen e ligjit, fëmijët tanë mund të luajnë të mbrojtur, dhe lulet mund të rriten aq sa të bëjnë hije.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>