Prej disa ditësh media të ndryshme botërore kanë publikuar artikuj në të cilën pretendojnë për përfshirje direkte apo indirekte të ISIS në kultivimin dhe tregtimin e marjuanës në Shqipëri, nga e cila nxirren miliarda euro, një pjesë e të cilave shkon për financimin e aktiviteteve të ISIS.
Fillimisht, ishte gazeta e dytë më e madhe britanike, Daily Mirror, e cila botoi javën e shkuar një artikull ku pretendonte, se ISIS ishte një ndër përfituesit kryesorë të perandorisë të marjuanës shqiptare, e vlerësuar me një xhiro prej mbi 5 miliardë euro në vit. Variante të këtij artikulli, u botuan në ditët pasuese në The Sun, gazeta më e madhe britanike; The Daily Mail, gazeta britanike më e lexuar në botë; dhe një sërë gazetash më pak të rëndësishme botërore.
Reagimi i menjëhershëm i analistëve mediatikë dhe në përgjithësi i publikut shqiptar ishte mosbesues, mohues dhe në disa raste i revoltuar, duke i konsideruar pretendimet e artikujve si të pamundura apo si trillime keqdashëse. Të gjitha reagimet ishin krejtësisht refrektare, pa asnjë dozë minimale mëdyshje apo reflektimi. Një pjesë e mirë e kundërshtimeve bazoheshin në argumentin e lodhur dhe naiv se ne jemi shembull i bashkëjetesës paqësore fetare dhe mes nesh nuk mund të ketë ekstemistë me sfond fetar.
Është e qartë që artikujt e botuar në shtypin e huaj nuk kanë dhënë ndonjë bazë faktike për pretendimet e tyre, të cilat mund të jenë produkt, ose i zellit të tepruar gazetaresk, ose i hamendësimeve gati artistike.
Por nga ana tjetër, ngutja për të përjashtuar çdo lloj mundësie që organizata terroriste dhe realitete territoriale kriminale si ISIS nuk mund të depërtojnë në Shqipëri është, në rastin më të mirë, naive dhe në rastin më të keq e rrezikshme.
Le të lëmë për një çast spekullimet dhe le të themi ato që ne dimë për realitetin në vend. Nga të dhëna faktike dhe të jetës së përditshme shqiptare është e pothuajse e sigurtë që:
- Në Shqipëri mund të sigurish lehtë armë luftarake dhe eksplozivë;
- Në Shqipëri mund të gjesh apo kultivosh lehtë drogë të çdo lloji;
- Në Shqipëri mund të fshehësh lehtë persona – çdo vit zbulohen raste të tilla;
- Në Shqipëri mund të prodhohen lehtë dokumenta fallco – çdo vit në vend zbulohen me dhjetra individë dhe laboratorë për fallsifikim dokumentash;
- Në Shqipëri mund të ndryshohet lehtë idenditetin – çdo vit zbulohen dhjetra raste të tilla;
- Në Shqipëri mund të integrohesh në biznes, media dhe politikë me identitet të ndryshuar – është sekret i ditur nga të gjithë që figura publike të biznesit, medias dhe politikës kanë identitete fallso pas karrierash kriminale në vende të tjera;
- Në Shqipëri mund të rekrutosh relativisht lehtë njerëz për punë të paligjshme, për shuma relativisht të vogla parash – një sërë vrasësish me pagesë në gjykim apo të dënuar janë provë për këtë gjë;
- Shqipëria është vend i rëndësishëm i tranzitit dhe origjinës së trafiqeve ndërkombëtare, përfshi atë të drogës dhe njerëzve – gati çdo muaj në Shqipëri dhe vende fqinje kapen ngarkesa masive droge dhe zbulohen rrjete të organizuara të trafikut që veprojnë edhe në territorin shqiptar;
- Shqipëria është një vend ku pastrohen relativisht lehtë para – një pjesë e madhe e ndërtimeve dhe bisneseve janë financuar me para me origjinë të dyshimtë;
- Në Shqipëri ekzistojnë grupe të rëndësishme kriminale që kanë kapacitetin të paralizojnë ose dekonspirojnë aksionet e policisë dhe të vetë qeverisë.
- Në Shqipëri strehohen kriminelë të dënuar apo kërkuar ndërkombëtarisht, shumica qytetarë shqiptarë;
- Në Shqipëri krimi ka depërtuar politikën deri në nivelet më të larta – tashmë është e ditur se kriminelë të njohur kanë arritur të zgjidhen edhe deputetë, pa u kontestuar apo ndalur nga kush;
- Shqipëria është një ndër vendet me shërbimet më të pafta dhe më të dobëta të zbulimit dhe luftimit të krimit në Europë;
- Të dhënat e fundit statistikore tregojnë se Shqipëria ka mangësi në kontrollin e hyrje-daljeve nga vendi;
- Shqipëria është një ndër vendet me korrupsionin më të lartë në Europë;
- Në Shqipëri sistemi gjyqësor është tërësisht i korruptuar;
- Shqiptarët lëvizin lirisht në Bashkimi Europian.
Një vend i tillë do të ishte vend ideal për çdo organizatë kriminale me aspirata ndërkombëtare. Çdo organizatë apo individ kriminal që do kërkonte baza për aktivitete mbështetetëse, korridore trafiku, vende për rekrutim dhe aktivitete të tjera me gjasa do ta konsideronte edhe Shqipërinë si një ndër vendet potenciale.
Njëkohësisht ne dimë që:
- Shqipëria është një vend me popullsi të madhe muslimane ku zbatimi i riteve muslimane përfshi veshjen nuk bie në sy;
- Janë qindra shqiptarë që kanë zgjedhur që të shkojnë vullnetarisht për të luftuar në rradhët e ISIS;
- Ka patur një rrjet të organizuar të rekrutimit dhe dërgimit të shqiptarëve për të luftuar për ISIS;
- Shqipëria ka disa zona në varfëri ekstreme dhe rekrutimi i mercenarëve në këto zona ka rezultuar i lehtë;
- Ka një sërë xhamish dhe klerikësh muslimanë që në mënyrë aktive kanë kërkuar indoktrimin e besimtarëve të tyre në favor të ISIS;
- Në Shqipëri ka shumë xhami të realizuara dhe të financuara nga organizata wahabite
Atëhere, pse duhet t’ju duket kaq e paimagjinueshme analistëve tanë mediatikë dhe vetë qytetarëve që ISIS të ketë synuar apo të synojë në të ardhmen të krijojë baza apo operacione në Shqipëri?
Aktivitetet terroriste realizohen përherë nga grupe shumë të vogla në krahasim me popullsinë, shpesh nga vetëm pak individë. Që ISIS të jetë në Shqipëri nuk do të thotë që populli shqiptar përkrah terrorizmin apo ISIS-in. Thjesht do të thotë që ISIS ka gjetur në Shqipëri disa persona dhe kushte për të vepruar.