Kryeministri në detyrë i Armenisë, Nikol Pashinyan dhe partia e tij e Kontrata Civile fituan zgjedhjet parlamentare me 53.92% të votave, njoftuan të hënën autoritetet zgjedhore në vend.
Rivali kryesor i Pashinian ishte ish-presidenti armen Robert Kocharyan.
Pjesëmarrja në të gjithë vendin ishte 49.4%.
Sondazhet para zgjedhore tregonin për një rezultat shumë të ngushtë mes dy partive.
Armenia mbajti zgjedhje të parakohshme, në përpjekje për t’i dhënë fund një krize politike që shpërtheu pasi forcat armene humbën një luftë gjashtë-javore kundër Azerbajxhanit vitin e kaluar dhe lëshuan territorin e Nago-Karabakut.
Protesta të shumta u zhvilluan në Armeni ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit Pashinyan për shkak të marrëveshjes së paqes që ai firmosi me Azerbajxhanin. Sipas marrëveshjes, e cila u ndërmjetësua nga Rusia, Azerbajxhani rimori kontrollin e territorit që kishte humbur gjatë një lufte në fillim të viteve 1990.
Vetë Pashinyan e përshkroi marrëveshjen si një katastrofë, por tha se ai ishte detyruar ta nënshkruante atë në mënyrë që të parandalonte humbje më të mëdha njerëzore dhe territoriale.
Pashinian erdhi në pushtet me një axhendë anti-korrupsion dhe protesta të shumta të cilat detyruan kryeministrin e asaj kohe, Sargsyan të jepte dorëheqjen dhe të organizonte zgjedhje të parakohshme.
Kocharyan ishte president i Armenisë nga 1998 në 2008 dhe u akuzua se theu ligjin kur futi vendin në gjendje të jashtëzakonshme në mars 2008 pas zgjedhjeve të diskutueshme të atij viti. Të paktën 10 vetë u vranë në përleshjet që pasuan midis policisë dhe protestuesve.