Prej më shumë se 24 orësh, pylli i Semanit është përfshirë nga flakët, por zjarrëfikëst nuk kanë mundur ta fikin atë.
Kështu denoncoi, të dielën, ish-deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj, në një postim në Facebook.
Ajo e quajti ‘të papranueshme’ mungesën e masave nga institucionet për një situatë të përsëritur në pyllin e Semanit:
“Me orë të tëra pylli digjet dhe reagimi nga institucionet është i pakët e jo serioz. E papranueshme që ky pyll digjet sërish brenda një kohe të shkurtër dhe askush nuk merr masa për parandalim.”
Mehmetaj i bëri thirrje institucioneve që të ndërhyjnë sa më parë për të shuar zjarret, si dhe të hetojnë dhe gjejnë zjarrëvënësit.