Qëndrimi zyrtar i LSI-së për reformën — 5 gjërat që kuptuam

Qëndrimi zyrtar i LSI-së për reformën — 5 gjërat që kuptuam

Deputeti Petrit Vasili ka bërë sot një deklaratë publike, para mediave, për të shprehur qëndrimet e LSI-së në lidhje me reformën në drejtësi.

Zoti Vasili ritheksoi në mënyrë të qartë se LSI kërkon miratimin konsensual të reformës.

Por, përveç gjërave të shprehura qartë, zoti Vasili ka lënë të nënkuptohet shumë. Më poshtë Exit ka përmbledhur 5 gjërat kryesore që kuptuam nga deklarimet e Zotit Vasili.

  1. Edhe pse nuk e shprehu hapur, Zoti Vasili la qartë të nënkuptohet se LSI mendon se qëndrimet e BE-së, të shprehura nga Ambasadorja Vlahutin, janë qëndrime personale të saj, në bashkëpunim me Kryeministrin Rama, dhe jo qëndrime zyrtare të BE-së. Në fjalën e tij ai bëri disa herë qartë dallimin midis “BE-së së Tiranës” dhe “BE-së së Brukselit”.

“[Na] është thënë dhe vazhdon të na thuhet se Brukseli ka vendosur vija të kuqe mbi vijat e kuqe të Venecias” është shprehur Zoti Vasili, duke nënkuptuar Zotin Rama, i cili para dy ditësh u shpreh se vijën e kuqe nuk e kishte vënë ai, por BE-ja, pa e fshehur ironinë që BE mund të mbajë qëndrime që nuk përputhen me ato të Komisionit të Venecias.

  1. Pikërisht sepse beson se Ambasadorja Vlahutin mban qëndrime personale, LSI kërkon që “PD të drejtohet në Bashkimin Evropian, pra në Bruksel në nivelet më të larta e të shprehen lidhur me pretendimet e opozitës”. Duke biseduar direkt me “nivelet më të larta të Brukselit”, PD duhet të gjejë me to “një zgjidhje të pranueshme” për çështjen e pazgjidhur të zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë.
  1. LSI mendon se reforma e miratuar pa opozitën do të jetë jolegjitime. Zoti Vasili deklaroi qartë se nëse reforma miratohet pa opozitën “ekziston pikëpytje e madhe lidhur me legjitimitetin e reformës dhe të institucioneve të reja, të shumta të cilat dalin si paspojë e zbatimit të saj.”
  1. I vetmi rast që LSI duket se mund të japë votat e saj pro reformës, pa arritur konsensus me opozitën, është nëse kjo gjë do të çojë automatikisht në hapjen e negociatave me BE-në. Për këtë arsye LSI kërkoi që BE të deklarojë paraprakisht se nëse miratohet reforma do të hapen me siguri të plotë negociatat.

“Bashkimi Evropian, në nivelet më të larta në Bruksel, do të duhet të na garantojë që megjithëse ne po ndërmarrim një hap të njëanshëm do t’i hapi negociatat në mënyrë të sigurtë,” ka deklaruar Zoti Vasili.

  1. Në rast se BE nuk jep një garanci të tillë qëndrimi i LSI-së është se reforma nuk duhet dhe nuk mund të miratohet pa opozitën, pasi “do të krijojë një pasiguri të re dhe do të krijojë problematikë të re pa rrugëzgjidhje.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>