Kryeministri Rama bëri publike para pak javësh fillimin e një fushate për regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Edhe pse detajet e kësaj nisme nuk janë bërë të qartë asnjëherë, në disa thënie të shkëputura publike, Kryeminsitri ka lënë të nënkuptohen disa nga qëllimet dhe teknikalitetet e saj.
Sipas Kryeministrit, sot në botë jetojnë afërsisht 4,4 milionë shqiptarë me origjinë nga Shqipëria, nga të cilët në Shqipëri jetojnë afërsisht 3 milionë. Në zgjedhjet e fundit, kanë qenë në lista të paktën 3,4 milionë votues të regjistruar, nga të cilët votuan më pak se gjysma e tyre.
Kryeminisitri ka deklaruar, gjithashtu, se përveç emigrantëve të larguar nga vendi, janë edhe afërsisht 300 mijë shqiptarë të lindur jashtë Shqipërisë gjatë 25 viteve të fundit. Nqs kjo është e vërtetë, atëhere shumica e tyre janë nënshtetas të vendeve të tjera dhe ndoshta nuk kanë ardhur ndonjëherë në Shqipëri, veçse për pushime.
Ndërkohë, Kryeministri Rama ka zbuluar se shumë prej emigrantëve për të marrë qoftë edhe një çertifikatë të thjeshtë lindjeje duhet të humbasin kohë në rradhë të gjata e vërdallosje, të ballafaqohen me punonjës jo gjithmonë të aftë dhe madje të paguajnë para nën dorë për të përshpejtuar shërbimin ndaj tyre.
Kryeministri ka zbuluar, befas, se një nga shkaqet e këtij kalvari të mundimshëm është mungesa e një sistemi modern adresash që vështirëson apo bën të pamundur verifikimin e adresave të qytetarëve. (Zoti Rama ka qënë kryebashkiak i Tiranës për më shumë se 11 vjet dhe mungesa e sistemit të adresave nuk duhet të ishte surprizë për të.)
Sipas Zotit Rama mosditja e vendbanimeve të sakta ia ka vështirësuar qeverisë dhe administratës publike ofrimin e shërbimeve për emigrantët.
Por cilat shërbime dëshiron të ofrojë Rama për qytetarët shqiptarë të harruar jashtë Republikës së tyre?
Duke gjykuar nga disa deklarata të bëra pak ditë më parë në Sarandë, Kryeministri e ka fjalën për shërbime të lidhura me gjendjen civile të personave dhe për shërbime konsullore, ndërsa qëllimi përfundimtar do të ishte ai i mundësimit të votimit në zgjedhjet e ardhëshme. (Kryeministri i është referuar si “dhënie të së drejtës së votimit” kur në fakt bëhet fjalë, thjesht, për mundësim pasi të drejtën ja u ka dhënë Kushtetuta.)
Qëllime të mira, sidomos dhënia e mundësisë së votimit emigrantëve. Kjo e fundit është një çështje shumë e diskutuar në vendet me histori të gjatë emigracioni. Një numër vendesh kanë ofruar madje edhe zgjidhje praktike për votimin e emigrantëve, por rezultatet nuk kanë qenë përherë të mira.
Përkundrazi, në Itali, një nga vendet më të përparuara të Europës, rezultatet kanë qenë të diskutueshme dhe jo rallë të përlyera nga mashtrime të vërteta elektorale.
Votimi i emigrantëve italianë, që u bë i mundur para disa vitesh, ka krijuar situata të çuditshme dhe deri skandaloze, me fletë votimi të gjetura në kazanë plehrash apo votim në masë nuk dihet nga kush. Problemi është përkeqësuar nga numri i vogël i vendeve në parlament të rezervuara për përfaqësuesit e emigrantëve e të zgjedhur me votën e tyre. Emigrantët kanë qenë, që në fillim, patericat e vërteta të çdo shumice qeverisëse, pavarësisht bindjes së tyre politike, duke qenë kështu bekim për qeveritë në pushtet.
Tema e votimit të emigrantëve është një temë shumë delikate, në veçanti në rastin e Shqipërisë që është një ndër vendet e rralla ku numri i qytetarëve që jetojnë jashtë është gati i njejtë më të atyre që jetojnë në atdhe.
Në fakt, Shqiptarët që banojnë jashtë kanë qenë shpesh përcaktues në zgjedhjet shqiptare të 20 viteve të fundit, pasi falë mungesës së tyre janë bërë të gjitha llojet e mashtrimeve.
Ndërkohë, a duhet të ketë të njëjtën të drejtë votimi si ai që ka jetuar jashtë 20 vitet e fundit apo që ka lindur jashtë edhe ai që jeton në atdhe? Pastaj, a duhet të votojë dikush pa paguar taksa në atdhe?
Çështja është fisnike, por djalli fshihet në detaje.