Kryeministri Edi Rama publikoi mëngjesin e së hënës video nga kantieri i rindërtimit në Laç, ku kanë nisur punimet për të ndërtuar shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Sipas Ramës, në Laç do të ndërtohen 13 pallate, 309 banesa individuale, shkolla, kopshte, qendër tregtare, vendparkime dhe hapësira publike.
Partia Demokratike vendosi t’i përgjigjet Ramës përmes kryetarit të kabinetit të Lulzim Bashës, Dorian Teliti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Teliti shkruan se një vit pas tërmetit, ende nuk ka asnjë shtëpi të ndërtuar, asnjë shkollë, asnjë spital të përfunduar në Laç.
Teliti akuzoi Ramën se po i shet qytetarëve vetëm propagandë:
“Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim. Ai shfaqet në sheshet e ndërtimit me regjinë qëndrore të propagandës dhe sapo ai ikën nga sheshi i teatrit të propagandës largohen dhe fadromat për t’u zhvendosur në një shesh tjetër, atje ku propaganda nis shfaqjen e radhës.”