Qeveria fsheh vendimet për kullat e reja në Tiranë

Nga Vincent Van Gerven Oei
Qeveria fsheh vendimet për kullat e reja në Tiranë

Sipas, ligjit të Planifikimit Urban dhe Zhvillimit të Territorit, Agjensia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) duhet të publikojë në regjistërin kombëtarë, të gjitha vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), i cili drejtohet nga Kryeministri Rama. Kjo procedurë bëhet më e qartë në VKM-në, numër 725, neni 3.1 (dh) të miratuar në 2 shtator 2015.

Në zbatim të ligjit për transparencën, vendimet e KKT-së duhet të publikohen në këtë regjistër 10 ditë pas miratimit. Por tashmë, edhe pse kanë kaluar shumë muaj vendimet e mbledhjeve të fundit të KKT-së nuk janë pasqyruar në regjistër. Në këtë regjistër ndodhet vetëm një nga vendimet e miratuara në mbledhjen e datës 14 prill.

Exit.al, bazuar në të drejtën e informimit, kërkoi të marrë të gjitha vendimet e miratuara nga KKT në këtë mbledhjen, duke zbuluar kështu 10 vendime të tjera të cilat ende nuk janë publikuar në këtë regjistër.

Ndër këto 10 vendime gjendet edhe vendimi për ndërtimin e dy kullave në qendër të Tiranës, të kundërshtuara fort nga qytetarët si: një kullë pas Hotel Tirana International dhe një tjetër e quajtur “Downtown Albania”, në rrugën e Elbasanit, aty ku sot ndodhet këndi i lojrave “7 xhuxhat”.

Kulla mbrapa Hotel Tirana International është propozuar nga kompania e ndërtimit Geci shpk, e cila nga 2015-2017 ka përfituar rreth 9 milionë euro para publike nga tenderat e qeverisë. Projekti u bë nga Atelier 4, një bashkëpunëtor i vjetër i kryeministrit Edi Rama.

Ndërtimi në këtë zonë me siguri do të rëndojë më shumë trafikun në unazën e vogël të sapondërtuar sërish nga firma Geci.

Ndërsa, kulla tek 7 xhuxhat do të ndërtohet nga një kompani e panjohur DT1 shpk. Qiellgërvishtësi i ri do të jetë në formën e hartës së Shqipërisë.

Në shkelje të ligjit, qeveria nuk i ka publikuar këto vendime dhe ndoshta ka ende shumë të tjera pa publikuar. Si pasojë qytetarët e Tiranës kanë kaluar muaj të tërë duke spekulluar mbi kullat e mundshme që do të ndërtohen, të cilat pa asnjë dyshim do të përkeqësojnë cilësinë e ajrit dhe reputacionin e Erion Veliajt si kryebashkiaku i betonit, i cili shkatërroi hapësirat e fundit të gjelbra në qytet. Kujtojmë këtu se pak muaj më parë kryebashkiaku ka miratuar ndërtimin e katër kullave të larta në lulishten tek ish-parku i Autobuzave.

Ndërkohë, planet për të ashtuquajturin “Metrobosco” një unazë pylli rreth qytetit e propozuar nga arkitekti i masterplanit Stefano Boeri duket se janë harruar në një sirtarë pa afat.

Në përgjigje të kërkesës sonë, Sekretarja e KKT-së Ledia Tota deklaroi se të gjitha vendimet e KKT-së mund të gjenden edhe në faqen zyrtare të Agjensisë së Zhvillimit Territorial. Kjo agjensi është nën varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Urban. Por vendimi i vetëm i pasqyruar në të ishte vetëm një vendim i miratuar në mbledhjen e 14 prill 2017.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>