Qeveria ndryshon mendje: ShÇBA pjesë e ligjit të vetingut në polici

Nga Exit News
Qeveria ndryshon mendje: ShÇBA pjesë e ligjit të vetingut në polici

Qeveria ka propozuar ndryshim të ligjit të vettingut në Polici. Projektligji i ri kërkon hetimin e punonjësve të Policisë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Shqetësimet (ShÇBA), paralelisht me Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit.

Në ligjin e miratuar nga Kuvendi më 2018, dhe i propozuar nga ish-ministri i Brendshëm Xhafaj, ShÇBA-ja u përjashtua nga procesi i vetingut, dhe kontrolli i policëve kryhej nga Komisioni i Jashtëm i vettingut.

Përjashtimi i ShÇBA-së nga vetting u kritikua si veprim i qeverisë për të shmangur një hetim të drejtë, duke marrë parasyesh edhe se punonjësit e SHÇBA-së janë trajnuar dhe certifikuar edhe nga Programi Ndërkombëtar i Trajnimit dhe Ndihmës për Hetimin Penal (ICITAP) të Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

Ligji i vetingut u kthye nga Presidenti Meta pasi nuk plotësonte kushtet për një vetting të paanshëm dhe vendoste policinë nën kotrollin e qeverisë. Por, shumica socialiste në Kuvend e miratoi pavarësisht kritikave të Presidentit.

Si funksionon ligji i vettingut

Ligji i vettingut ka tre organe vlerësimi: Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit (KJV), Komisioni Qendror i Vlerësimit (KQV) dhe Komisionet Vendore të Vlerësimit (KVV).

Komisionet e ndryshme vlerësojnë nivelet e ndryshme të anëtarëve të Policisë së Shtetit, Gardës Republikane dhe SHÇBA-së. Shtresëzimi i organeve të vlerësimit të policisë hap mundësinë që punonjësit e nivelit të lartë të marrin trajtim ndryshe nga ata të një rangu më të ulët.

Anëtarët e organeve vlerësuese të policisë u zgjodhën nga një Bord Përzgjedhës (BP), i cili përmban 5 zyrtarë qeveritarë të drejtuar nga ish-ministri Fatmir Xhafaj.

Komisioni Qendror i Vlerësimit (KQV) përbëhet nga të gjithë anëtarët e KJV, të cilët cilët bëhen automatikisht anëtarë të këtij komisioni . 15 anëtarëve të KJV-së i shtohen dhe 30 anëtarët e tjerë nga forcat e zbatimit të ligji (Policia e shtetit, Garda e Republikës dhe SHÇBA).

Komisioni Vendor i Vlerësimit (KVV) përbëhet nga 135 anëtarë, ndër to: 45 prej të cilëve janë anëtarët e Komisionit Qendror të Vlerësimit dhe 90 anëtarë të përzgjidhen nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.

KJV, KQV dhe KVV kanë të gjitha sekretariatet e tyre, të cilat duhet të përpilojnë dosjet për të gjithë punonjësit e policisë. Kështu, e gjithë struktura e organeve të vlerësimit nuk bazohet në profesionistë ligjorë që veprojnë në mënyrë të pavarur, por në një piramidë gjigante burokratike të zyrtarëve të “verifikuar” nga qeveria, në krye të të cilave është ministri i Brendshëm.

Përzgjedhja e anëtarëve të këtyre Komisioneve u krye në fshehtësi të plotë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>