Qeveria po kryen me ligj të njejtën vjedhje për të cilën akuzohet krybashkiaku Frrokaj

Qeveria po kryen me ligj të njejtën vjedhje për të cilën akuzohet krybashkiaku Frrokaj

Javën e kaluar, kryetari i bashkisë së Lezhës, demokrati Fran Frrokaj u arrestua me akuzën për tjetërsimin e paligjshëm të 285 mijë metër katrorë tokë në zonën e njohur si Rana e Hedhun. Prona u konfiskua në shtator 2017. Kryebashkiaku Frrokaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve. Ai u lirua dje nga burgu dhe është aktualisht nën arrest shtëpiak.

Koha e arrestimit dhe akuzës së Frrokajt vjen në një moment të veçantë, kur Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme, e zgjedhur në shkelje të Kushtetutës nga qeveria Rama, ka ngadalësuar shumë hetimin ndaj disa zyrtarëve të PS, përfshirë ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe Kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dako. Prokurorja Marku, po në shkelje të ligjit, ka shkarkuar nga detyra prokurorët kryesorë të këtyre çështjeve. Raste të tjera të ngjashme me dosjen Frrokaj, por që përfshijnë politikanë të PS-së, nuk janë ndjekur nga prokuroria.

Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit ndërkombëtarë, veçanërisht ambasadori amerikan Donald Lu, janë ende duke pritur me padurim që të kapet një “peshk i madh”. Arrestimi i kryebashkiakut demokrat Frrokaj duket se vjen në një kohë kur qeveria ka nevojë të dëshpëruar për t’u shërbyer atyre disa “peshq”.

Sipas akuzave, Frrokaj dyshohet për përvetësim të paligjshëm pronash në bregdet, që në fakt është shumë i ngjashëm me një Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) të publikuar më 13 mars. Siç ka shkruar Reporter.al para pak kohe, kjo VKM ndaloi të gjitha proceset e legalizimit të të gjitha pronave private, përgjatë bregdetit shqiptar, me qëllim dhënien e tokave bregdetare për zhvillim përmes “investimeve strategjike”.

Nga ligji i debatueshëm për investimet strategjike, i cili ofron përjashtim nga taksat dhe “trajtim të posaçëm” për investime mbi një vlerë të caktuar monetare, deri më sot kanë përfituar kryesisht një grup shumë i vogël oligarkësh pranë Kryeministrit Rama. Disa prej tyre kanë marrë leje ndërtimi për komplekse vilash në bregdetin e jugut , edhe pse disa nga këto projekte kanë shkelur të drejtat e pronësisë së qytetarëve.

Tani duket se këta oligarkë i kanë vënë syrin tokave përgjatë gjithë bregdetit të vendit. VKM-ja e sipërpërmendur propozon, pikërisht transferimin e dyshimtë të pronës publike tek “investitorët” privatë pranë qeverisë, gjë që, kombinuar me “vetingun” e të gjithë ndërtimeve bregdetare, përbën të njëjtin krim për të cilin akuzohet Frrokaj: grabitje të tokës dhe pronës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>