Drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) i kanë kërkuar Kuvendit rritjen e tarifës që çdo familje dhe biznes shqiptar paguan për televizionin publik. Nëse do të realizohet, kjo rritje është vetëm hapi i parë për realizimin e planit të qeverisë Rama për financimin me paratë e qytetarëve edhe të televizioneve private në vend.
Aktualisht, çdo familje dhe biznes paguan 100 lekë në muaj—1200 lekë, ose rreth 8,7 euro në vit—si tarifë për sinjalin e transmetimit televiziv publik. Kjo tarifë faturohet dhe mblidhet përmes OSSHEE-së, së bashku me faturimin e energjisë elektrike për çdo familje ose biznes.
Në total, nga tarifa mblidhen rreth 11 milionë euro të cilat i shkojnë RTSH-së. Përveç kësaj shume, RTSH merr çdo vit edhe rreth 6,5 milionë euro nga buxheti i shtetit. Së bashku me të ardhurat e siguruara nga vetë institucioni përmes pagesa të ndryshme, përfshi reklamën, buxheti vjetor i RTSH-së arrin në rreth 20 milionë euro.
Në raportin vjetor për vitin 2017, dërguar në Kuvend nga RTSH, pohohet se “shpenzimet e RTSH për digjitalizimin dhe transmetimet… gllabërojnë pothuajse gjithë shumën që mblidhet nga tarifa”. Ndaj, për të siguruar financimin e dixhitalizmit dhe shpenzime të tjera operacionale, TVSH kërkon “një rritje graduale të taksës së aparatit që mund të mbulojë një pjesë të madhe të kostos së dixhitalizimit”.
Në fakt, RTSH propozon një rritje prej 50 për qind të tarifës:
“Edhe një rritje prej 50 për qind [e taksës] mbi nivelin aktual do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar, për shembull, pagesat vjetore për Deutsche Bank. (RTSH ka marrë kredi nga DB për dixhitalizimin.)
…Një rritje domethënëse e taksës duket e domosdoshme për të siguruar nivelin e duhur të financimit të RTSH-së për funksionim normal. Veç kësaj, mund të ketë nevojë për kontribute shtesë nga buxheti I shtetit në 3-4 vitet në vazhdim për të përballuar pjesën më të madhe të kostos së dixhitalizimit”.
Pra, me rritjen nga 1200 lekë në 1800 lekë për familje e biznes në vit të taksës për televizionin, RTSH kërkon të përfitojë dhe 5-6 milionë euro më shumë nga taksapaguesit shqiptarë.
Por kjo kërkesë e RTSH-së duket se fsheh një tjetër plan të qeverisë. Pas rritjes së tarifës, qeveria synon që t’i shpërndajë të ardhurat e saj edhe për televizonet private, sipas audiencës.
Televizionet kryesore private në Shqipëri kanë lobuar për financimin e tyre direkt nga publiku dhe, sikurse kanë raportuar disa media, duket sikur kanë arritur një marrëveshje me Kryeministrin Rama.
Që të mundësohet financimi edhe i televizioneve private është e domosdoshme që të mblidhen më shumë të ardhura nga qytetarët, që kërkon rritjen e pagesës aktuale të tyre. Por nëse kjo rritje do të kërkohej pasi të ishte vendosur finacimi i privatëve, me gjasa ajo do të ngjallte më shumë reagime publike. Për këtë arsye, qeveria në mënyrë tinzare po përdor qëllimisht RTSH-në për të kërkuar rrijen e tarifës si domosdoshmëri për financimin e dixhitalizimit të RTSH-së dhe platformës dixhitale të tij.
Pasi të arrihet kjo rritje, pastaj do të jetë më e lehtë që të ndërmerret hapi tjetër, ai i ndarjes së të ardhurave të mbledhura nga tarifa për të gjitha televizionet, pavarësisht nëse ata janë private, për qëllime fitimprurëse apo publike.
Pushteti i televizioneve private duket i madh edhe për faktin se ato nuk zbatojnë vendimin e qeverisë të vitit 2015, për përdorimin e dekoderëve dixhitalë sipas standardit DVB-T2, cfarë do t’i bënte ata të përdorshëm për çdo platformë televizive. Në treg tregtohen dekoderë të cilët transmetojnë kanalet dixhitale vetëm me pagesë. Vetëm 10 përqind e shqiptarëve janë të pajisur me dekoderat e duhura sipas ligjit.