Sipas një raporti të Ministrisë së Brendshme, të bërë publik nga Monitor, qeveria vazhdon t’u mbetet borxh prindërve, të cilët kanë lindur fëmijët e tyre para vitit 2019. Ky borxhi shkon në rreth 2,3 milionë euro.
Në total Ministria ka raportuar se “deri në qershor kishte rreth 6 milionë euro borxhe të prapambetura”, prej së cilave “1/3 është pjesa e shpërblimeve të pashpërndara për lindjet”. Kjo pjesë, rreth 2,3 milionë euro, ka të bëjë me shpërblimin sipas skemës së vjetër ku për çdo lindje familjarët përfitonin 5,000 lekë.
Shpërblimi për lindjet është penguar prej vitesh nga burokracitë e Ministrisë së Brendshme me strukturën e Gjendjes Civile.
Qeveria miratoi në fillim të këtij viti skemë të re “për bonusin e bebeve”. Shuma e shpërblimit u bë 40,000 lekë për fëmijën e parë, dyfishi për të dytin, trefishi (120,000 lekë) për të tretin dhe të tjerët në vijim.
Përveç shumës së shpërblimit, ndryshoi edhe përgjegjësia e shpërndarjes, nga Ministria e Brendshme te Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS).
Për të propaganduar nismën e qeverisë, MSHMBS hapi zyra pranë materniteteve dhe vendosi që nëse fëmijët regjistroheshin pranë tyre “bonusi i bebes përfitohej menjëherë”. Në të kundërtën, nëse “regjistrimi bëhej më vonë në gjendjen civile” shpërblimi do të bëhej “në dy pjesë”.
Ministria ka raportuar deri në muajin qershor rreth 2,000 raste që kanë përfituar nga skema e re e “bonusit të bebes”. Megjithatë faktet tregojnë se qeveria u detyrohet ende prindërve të tjerë, të cilët i kanë lindur fëmijët e tyre para vitit 2019.
Ndërkohë, nga pjesa e raportit të publikuar nga Monitor, tërheq vëmendjen edhe fakti se pothuajse në të njëjtën shumë, rreth 2,5 milionë euro, Ministria e Brendshme u detyrohet vendimeve gjyqësore të mbartura “për ish-punonjës të larguar nga puna, kryesisht nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit”.