![Rama Qeveria rimburson paketën bazë të trajtimit kundër Covid-19 në shtëpi](https://exit.al/wp-content/uploads/2020/11/Rama.jpg)
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se qeveria do të rimbursojë 100 për qind qytetarët për paketën bazë të ilaçeve kundër Covid-19.
Në një postim në Facebook, Rama shkruan se qeveria do të vërë në dispozicion 1,2 miliardë lekë për këtë rimbursim.
Prej disa ditësh, kryeministri ka premuar rimbursimin e medikamenteve për pacientët me Covid-19 që po kurohen në shtëpi.
Nuk dihet ende lista e plotë e barnave të rimbursueshëm, por sipas mjekes Jonida Diko, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr.10, ka të paktën dy skema ilaçesh që mund të rimbursohen:
“Në stadin e parë ose në formën e lehtë medikamentet ose elementët trajtues që përdoren janë vitamina C, vitamina D, elementi Zink dhe paracetamoli. Kjo futet te skema e parë tek forma e lehtë.
Tek skema e dytë trajtimi bëhet me vitaminë C, vitaminë D me elementin Zink, me paracetamolin 500 mg dhe nëse ka temperaturë persistente, ka dhe shenja respiratore, mjeku i familjes vlerëson gjendjen e tij dhe mund t’i vendosë dhe antibiotikë, Azitromicinën 500 mg.”