Qeveria mbulon humbjet e Ujësjellësave me 720 milionë lekë

Nga Exit News
Qeveria mbulon humbjet e Ujësjellësave me 720 milionë lekë

Kryetari i Entit Rregullator të Ujit, Ndriçim Shani kërkoi të hënën në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese ndërhyrjen e qeverisë në mbulimin e borxhit që shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve kanë ndaj OSSHE.

Sipas tij, aktualisht borxhi arrin në vlerën 138 milion €, prej të cilave 70 milion € janë detyrimet dhe pjesa tjetër janë kamat-vonesat.

Sipas njê raporti të vitit 2020, qeveria ka paguar 720 milionë lekë humbje të ujësjellëskanalizime.

Në raportin vjetor të ERRU për vitin 2020, publikuar në janar, theksohet se borxhi ndaj OSSHE është një problem i bartur dhe se “duhet të zgjidhet përfundimisht nga qeveria qëndrore.”

“Energjia elektrike zë 55% të kostos së ujësjellësit” u shpreh Shani.

Ai shtoi edhe se duhen parë çmimi dhe burimet e energjisë.

Sipas raportit të 2020, 48 nga 57 Shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve nuk arrijnë të mbulojnë kostot e mirëmbajtjes dhe ato operative.

Pagesa prej 720 milionë lekësh ka mbuluar në pjesën më të madhe sigurimet shoqërore të punonjësve (42%), pagesa për mbulim të faturave të energjisë (21%), pagesa për kostot e pandemisë (21%) dhe pagesa të tjera.

Për të zgjidhur problemin e shoqërive që nuk mbulojnë dot kostot, Ministrisë e Energjisë dhe Infrastrukturës propozoi në 2019 në ligjin e ri për sektorin e ujit zbatimin e bashkimit të detyruar të tyre, ku shteti  bëhet aksioner i superstrukturës së re.

ERRU e kundërshtoi qasjen e qeverisë, pasi nuk ka gjetur raste të suksesshme të aplikimit të kësaj skeme.

Një nga problemet e përhershme për UK-të mbetet niveli i arkëtimeve, i cili u përkeqësua nga rritja e papunësisë dhe mbyllja e bizneseve për shkak të pandemisë.

Kreu i ERRU, Shani, i kërkoi qeverisë kompensimin e shoqërive të UK-ve për familjet në nevojë që nuk paguajnë tarifën e ujit.

Në raport, një problem madhor ishte edhe mungesa e pajisjes higjenosanitare për të gjithë zonat ku Ujësjellës Kanalizimet operojnë, që ka bërë që një pjesë e tyre të operojnë pa liçencë.

Problemi ishte evidentuar më parë nga auditi i KLSH, i cili konstatoi se mungesa e standardeve higjieno-sanitare mund të bëhet shkak për ndotjen e rrjetit të ujësjellës kanalizimeve.

Sipas raportit, vetëm 39 nga 57 UK janë të liçencuar, ndërkohë që të tjerat hasin vështirësi në zonat rurale për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Ndonëse Shani deklaroi në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese se nuk ka patur kërkësa për rritje tarifash nga shoqëritë UK, në raport shkruhet se “ERRU ka inkurajuar dhe mbështetur shoqëritë që të aplikojnë për një nivel të ri tarifor, për përmirësimin e përformancës së tyre financiare.”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>