Qeveria tender 23 milionë euro për uniformat e policisë, 3-fish më shumë se në 6 vitet e fundit

Qeveria tender 23 milionë euro për uniformat e policisë, 3-fish më shumë se në 6 vitet e fundit

Qeveria ka vendosur të shpenzojë rreth 23 milionë euro për uniformat e reja verore dhe dimërore të policisë për katër vite, deri në 2023-shin. Për këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka hapur një tender, me procedurë të “ kufizuar”, duke lënë kështu hapësira për abuzime dhe për të parazgjedhur një kompani të caktuar si fituese të tenderit. Tenderi mbyllet më 19 gusht.

Nga një kërkim i bërë nga Exit.al, në total nga shtatori 2013 deri në qershor 2019, pra për rreth 6 vjet, qeveria ka shpenzuar rreth 7,8 milionë euro për uniformat e policisë.

Ndërkohë, për katër vitet e ardhshme qeveria planifikon të shpenzojë 23 milionë euro të tjera, rreth 3-fish më shumë se shpenzimet për uniformat në gjashtë vitet e fundit.

Historiku i tenderave për uniforma

Që prej 2014-ës, qeveria Rama jo vetëm ka zhvilluar disa tendera për uniformat e policisë, por dhe ka bëra disa ceremoni prezantimi për to. Disa kontrata të tjera janë anuluar, pa dhënë shpjegime, dhe në dëm të buxhetit të shtetit.

Kështu në vitin 2014, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri hapi një tender me tre faza, me vlerë totale rreth 550 mijë euro.

Në maj 2015, kjo kontratë u zgjat, me të njëjtat kompani, me negocim paraprak, pa tender të hapur, me rreth 1,6 milionë eurosh të tjera.

Më pas, në dhjetor 2015, Ministria hapi një tjetër tender për uniformat e policisë, i cili u fitua nga kompania Marsi&Al, me një vlerë prej 960 mijë eurosh.

Më 1 shkurt 2016, ish-ministri Tahiri prezantoi uniformat e reja të policisë gjatë një ceremonie madhështore në sheshin pas Ministrisë së Brendshme. Por në fund të 2016-ës, Ministri Tahiri e anuloi kontratën me Marsi&Al, për shkak se kompania nuk kishte përmbushur detyrimet e përcaktuara në kontratë.

Në nëntor 2016, Rama dhe Tahiri zhvilluan një tjetër ceremoni për të prezantuar uniformat e reja të policisë, tashmë të mbështetura nga qeveria turke. Kryeministri Rama falënderoi presidentin turk për bashkëpunimin në këtë proces:

“Që në fillim dua të falënderoj qeverinë e Turqisë, dhe në veçanti presidentin Erdogan për mbështetjen që na kanë dhënë në këtë projekt.”

Uniformat e prezantuara dukeshin saktësisht si ato të policisë turke. Për arsye të pa bëra publike, edhe ky tender u anulua.

Një tjetër tender për uniformat e policisë u zhvillua në shkurt 2017, me vlerë totale prej 10.5 milion eurosh. Ky tender u anulua gjithashtu.

Në gusht 2018, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit, kësaj radhe me një buxhet rreth 7,5 milion euro. Edhe ky tender u anulua, por ministria nuk dha ndonjë arsye për anulimin.

Në total, nga shtatori 2013 deri në korrik 2019, qeveria Rama ka hapur në total 29 tendera për uniformat, 9 prej të cilëve janë anuluar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>