Gjykata Administrative e Apelit shfuqizoi Vendimin e vjetshëm të Këshillit të Ministrave për zgjerimin e parkut kombëtar të Malit të Tomorrit nga 24,723 në 26,106 hektarë.
Apeli e gjeti VKM-ën të miratuar “pa ndjekur procedurat administrative” duke nxjerrë në pah një sërë anashkalimesh nga ana e Ministrisë së Mjedisit, ku ndër më kryesoret është mungesa e një vendimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Parku kombëtar në Tomorr është shpallur zonë e mbrojtur që në vitin 1996. Asokohe kishte sipërfaqe 4,000 hektarë, por kjo sipërfaqe iu zgjerua në vitin 2012 në 24,723 hektarë.
Zona kategorizohet me shkallë të II-të të nivelit të mbrojtjes, që përjashton shfrytëzimet zëniet dhe aktivitetet intensive të njeriut.
Vitin e shkuar, qeveria vendosi ta zgjeronte edhe më tej parkun në Tomorr duke e bërë 26,106 hektarë.
Synimi ishte që përmes shkallës së mbrojtjes që i aplikohet zonës të ndalohej kështu aktiviteti i guroreve që deri vjet ishin jashtë parkut.
Mirëpo, sikur tregohet në vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, të cilin Exit.al e shqyrtoi, Ministria e Mjedisit dhe qeveria e morën këtë vendim duke anashkaluar procedurat:
- Ministria e Mjedisit dhe Këshilli i Ministrave nuk morën mendim nga Bashkia Skrapar, nuk kryen as konsultim publik me komunitetin e zonës, pronarët privatë dhe grupet e interesit.
- Propozimi i Ministrisë së Mjedisit kaloi në Këshillin e Ministrave pa pasur vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
- Ministria e Mjedisit nuk e mbështeti propozimin me studime paraprake apo të thelluara nga komuniteti shkencor.
- Këshilli i Ministrave e mori vendimin pa argumentuar vlerat e biodiversitetit që u kërkua të mbrohej.
Nenin 36 i ligjit nr.81/2017 “Për Zonat e Mbrojtura” thotë:
1. Miratimi i ndryshimit të sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore, zgjerimi ose pakësimi i saj bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit ku argumentohet nevoja e ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës pas vendimit të KKT-së për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore.
2. Propozimi për ndryshimin e sipërfaqes së zonës konsultohet paraprakisht me komunitetin vendas, me pronarët, pronat e të cilëve, sipas rastit, përfshihen ose hiqen nga sipërfaqja e zonës, me subjektet që ushtrojnë veprimtari brenda zonës, me institucionet shkencore, me organet e qeverisjes vendore ku shtrihet zona dhe argumenton nevojën e ndryshimit.
Në rastin e zgjerimit të parkut kombëtar të Malit të Tomorrit, Ministria e Mjedisit anashkaloi KKT-ën dhe konsultimet me të gjitha kategoritë e përmendura në ligj.
Ndërkohë, nëse në vitin 2012 qeveria e kishte zgjeruar parkun duke respektuar të gjitha procedurat administrative dhe duke mbështetur vendimin me studime shkencore.
Në rastin e fundit, Ministria e Mjedisit i ka anashkaluar procedurat duke e dërguar propozimin direkt në Këshill të Ministrave dhe duke e mbështetur atë vetëm me një relacion me 5 fletë, pa konsultime, studime apo opinione nga bota akademike.
Asgjë nuk e pengonte Ministrinë dhe qeverinë që të ndiqnin të gjitha hapat e parashikuara në ligj për këtë çështje.
Qeveria i ka patur të gjitha mundësitë të nxiste dhe kryente studime të thelluara për gjithë zonën, qoftë edhe atë jashtë parkut ku aktiviteti i guroreve i ka shkaktuar dëme të rënda peizazhit natyror.
Që prej vitit 2017 Ministria e Mjedisit është përpjekur në mënyrë të pasuksesshme që të mbyllë aktivitetin e dhjetëra guroreve jashtë parkut kombëtar të Malit të Tomorit.
Ministria pati vendosur masa pezullimi të aktiviteteve, por pezullimet u hodhën poshtë nga gjykatat, kryesisht me argumentin se kompanitë ishin të licencuara.