Qytetarët e Shkodrës protestuan sot kundër marrjes së bashkisë nga Valdrin Pjetrit, kandidati socialist që garoi i vetëm dhe fitoi në zgjedhjet e 30 qershorit. Me fletëpalosje ku shkruhej “Narko Valdrini jashtë Bashkisë”, ata kërkuan që zoti Pjetri të mos hyjë në zyrën e kryebashkiakut për shkak të kaluarës kriminale.
Një javë më parë, PD i kërkoi prokurorisë verifikimin e figurës së Valdrin Pjetrit, kryebashkiakut socialist të zgjedhur më 30 qershor në Shkodër. PD dyshon se Zoti Pjetri mund të ketë qenë i dënuar në Itali në të shkuarën dhe se mund të ketë fshehur të shkuarën kriminale në formularin e vetëdeklarimit. PD, në letrën drejtuar prokurorisë, shkruan:
“Në vitin 2001-2002,Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”
Vetëm pak ditë më parë Prokuroria nisi hetimet ndaj zotit Pjetri. Nëse këto akuza vërtetohen nga prokuroria, bazuar në nenit 2, të ligjit të dekriminalizimit, Zoti Pjetri nuk mund të mbajë poste publike dhe të kandidojë në zgjedhje, e si rrjedhojë nuk mund të jetë kryebashkiaku i Shkodrës.