Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Angli u ka bërë thirrje autoriteteve që të nisin hetimet për racizëm pasi mbrojtësi i Chelsea-it, Antonio Rudiger u fye rëndë nga tifozët e Tottenhamit gjatë derbit të Londrës së luajtur të dielën.
Në përballjen Tottenham (0-2) Chelsea gjyqtari Anthony Taylor ndali lojën në pjesën e dytë pasi mbrojtësi i përfaqësueses gjermane Rudiger u ankua se po shënjestrohej me kore raciste.
Situata qe nxitur prej faktit se Rudiger shkaktoi daljen me karton të kuq të Son Heung-Min dhe disa herë gjatë ndeshjes pati ndërhyrje me thirrje në foninë e stadiumit nga organizatorët që koret të mos vazhdonin.
Veprimet u bënë edhe më serioze ku disa tifozë nisën të hidhnin edhe sende në fushë. Pas ndeshjes zyrtarë të Tottenhamit dënuan të gjitha gjestet dhe thane se do të nisnin hetime për të gjetur nismëtarët e veprimeve raciste.
Rudiger shkroi në Twitter se ishte i shqetësuar nga gjithë çka ndodhi dhe ishte mirë që për raste të tilla të flitej pasi “për punë ditësh mund të harrohet dhe të ripërsëritet më vonë”.
Kjo nuk është hera e parë që gjeste, kore dhe veprime raciste shoqërojnë ndeshjet e futbollit në Angli. BBC thekson se përgjatë gjithë vitit incidente të tilla janë anashkaluar. Si shembull përmenden sulmet ndaj Raheem Sterling në Stamford Bridge kundër Chelsea-it, përballja me Malin e Zi në eliminatoret e Euro 2020, përballja Manchester United-Manchester City më 7 dhjetor.
Për këtë Shoqata e Futbollistëve Profesionistë i është drejtuar autoriteteve që të kryejë hetime të thella për të gjetur dhe dënuar personat që përsërisin rastet e racizmit.
Stadiumi i Tottenhamit është një nga më të rinjtë në Evropë dhe gazetarët kanë ngritur si diskutim faktin se hetimet mund të bazohen nga pamjet filmike që mund t’u merren kamerave të stadiumit.
Pas javës së 18-të Chelsea ndodhet në vendin e 4-të me 32 pikë, ndërsa Tottenhami në vendin e 7-të me 26 pikë. Jose Mourinho zëvendësoi Mauricio Pochettinon në fund të muajit nëntor.