Kryeministri Rama ka deklaruar të enjten se marrëveshja e 5 qershorit do të miratohet patjetër në kuvend brenda 30 korrikut.
Duke i kërkuar deputetëve të opozitës që të votojnë në unanimitet për marrëveshjen mes PS-PD-LSI për Kodin Zgjedhor, Rama tha se nëse ajo nuk miratohet, atëherë ‘do hidhet në erë gjithçka’:
“Marrëveshjen e 5 qershorit, me dhimbje miqtë e mi, do ta votojmë, dhe duhet ta votojmë, se përndryshe do hidhet në erë gjithçka. Ne nuk shkojmë dot përtej këtij sesioni pa i dhënë fund kësaj sage.”
Rama iu drejtua dhe ndërkombëtarëve duke i thënë se marrëveshja e 5 qershorit do të votohen nga kuvendi, ashtu siç do të miratohen dhe propozimet e tjera, siç janë ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare dhe të mbështetura nga qytetarët:
“U them miqve ndërkombëtarë që nga përfaqësuesja e SHBA-së, BE-së, të Britanisë, se parlamenti i Shqipërisë është sovran dhe do të vendoset sikur mendojnë përfaqësuesit e popullit në këtë sallë.
Do të vendoset në respekt të marrëveshjes së 5 qershorit nga njëra anë dhe në respekt të më shumë se 80 për qind të shqiptarëve nga ana tjetër që duan të vendosin jo vetëm partinë, por edhe deputetin.
Këto të dyja janë një fakt me të cilën të gjithë miqtë dhe partnerët tanë duhet të jetojnë.”